Maqedoni

Kodi Penal, Xhaferi: VMRO-ja po spekulon për politikë ditore

26.09.2023 14:18

Akuzat e VMRO-DPMNE-së se kryeparlamentari Talat Xhaferi, para ndryshimeve të Kodit Penal...

Akuzat e VMRO-DPMNE-së se kryeparlamentari Talat Xhaferi, para ndryshimeve të Kodit Penal ka pranuar material nga ish-kryeministri në arrati, Nikolla Gruevski, janë një spekulim i radhës për politikë ditore. Kështu ka deklaruar kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i cili kategorikisht mohon çdo akuzë të këtij lloji si të pavërtetë.
 
“Ajo është një spekulim i radhës i atyre që për politikë ditore kanë nevojë të defokusojnë publikun nga temat që kanë të bëjnë me ata. S'do mend që Kuvendi në procedurë të caktuar nga propozuesit e autorizuar pranon në formën siç i parasheh Rregullorja. Çështja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe asaj që konstatoj dhe s'do mend se për të dalë prej asaj situate janë arsyetuar se gjoja tekstin e Ligjit të Kodit Penal e paskam pranuar nga ish-kryeministri. S’ka lidhje, vet pranojnë që s’ka mundësi të ketë një komunikim të tillë mes subjekteve.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
VMRO-DPMNE: Këto veprime kanë për qëllim dobësimin e VMRO-së
 
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE-ja qëndrojnë në atë se Xhaferi ka pranuar USB-në nga Gruevski dhe se këto veprime kanë për qëllim dobësimin e VMRO-DPMNE-së.
 
“Ai është qëndrim i kryetarit të Kuvendit. Unë besoj për atë që në media, dje nënkryetari i VMRO-DPMNE-së e dëshmoi me vepra për atë se kush ka marrë USB-në dhe çka ka përmbajtur ajo. Besoni se një ditë do të ketë hetim. Ndërsa këto gjëra joprincipele, me qëllim që të zvogëlohet potenciali i VMRO-DPMNE-së apo në mënyrë të pandershme të arrihet ndonjë qëllim që duhet të rrisë pika politike, thjesht nuk do të mund të arrihet pasi që qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është më se i qartë dhe ajo është se pa marrë parasysh se çfarë bisedime dhe çfarë vepra do të ndërmarrin aktorët politik, posaçërisht shumica, ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
 
Së fundmi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Alekasandar Nikollovski, tregoi një USB dhe disa materiale të shkruara për të cilat pretendon se ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ia ka dorëzuar kryeparlamentarit Xhaferi, e që ka të bëjë me ndryshimet në Kodin Penal. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal me të cilin zvogëlohen dënimet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shoqërimin kriminel ishin të papritura dhe të paparalajmëruara edhe për ekspertët, Organizatat joqeveritare, Komisionin për Antikorrupsion, Gjykatën Supreme dhe Gjykatën Kushtetuese.
 
FLORIJE KAMBERI