Maqedoni
Konferenca ndërkombëtare për arsimin e lartë, Shaqiri: Të përmirësojmë cilësinë e arsimit
26.09.2023 15:16
Republika e Maqedonisë së Veriut është nikoqire e konferencës së ministrave të Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor...

Republika e Maqedonisë së Veriut është nikoqire e konferencës së ministrave të Arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në temën kushtuar sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, të cilën Ministria e Arsimit dhe Shkencës e organizon me mbështetjen e Sekretariatit të iniciativës për inicimin e reformave në vendet e Evropës Juglindore. Në këtë Konferencë të pranishëm do të jenë ministrat e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi, zëvendësministri i Arsimit i Lituanisë, si dhe mbi 80 përfaqësues të tjerë të institucioneve, institucioneve arsimore dhe shkencore nga rajoni, si dhe ekspertë nga Bashkimi Evropian, të cilët do të diskutojnë për sfidat e arsimit të lartë në rajon dhe veprimet që duhet të ndërmerren për ngritjen e konkurrencës së tij në një kuadër më të gjerë.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, tha se kjo është një mundësi e mirë për këmbimin e përvojave pozitive dhe do të miratohen konkluzione që do të jenë udhërrëfyes për krijimin e politikave të ardhshme, që do të përmirësojnë cilësinë e arsimit të lartë.
“RMV-ja ka nisur iniciativën për një aksion të përbashkët të shteteve të regjionit për rritjen e cilësisë dhe kualitetit në arsimin e lartë. Do të mundohemi që t’i grumbullojmë të gjitha konkluzionet të cilat do të jenë një udhërrëfyes për politikat arsimore të ardhshme në arsimin e lartë. Duhet bashkërisht të punojmë që Universitetet tona të kenë rritje në rangimet ndërkombëtare.”, - theksoi ministri i MASh-it, Jeton Shaqiri.
“Do të ndaj konstatimin tim se pyetja e kualitetit në arsimin e lartë është shumë e rëndësishme dhe kjo nuk është vetëm për shkëmbim të përvojave, por realisht të shoh se ku jemi më përvojat e BE-së.”, - u shpreh delegacioni nga Mali i Zi.
“Ne vazhdimisht në mënyrë intensive punojmë në avancimin e kualiteteve dhe cilësive në arsimin e lartë, por këtu mendoj se ka hapësirë për avancim edhe më të lartë, sidomos kur jemi kështu bashkë.”, - u shpreh delegacioni nga Serbia.
Pjesëmarrësit potencuan se edhe nëse institucionet e larta arsimore nuk gjenden në renditjen e 500 universiteteve më të mira në botë, ato duhet të jenë efektiv në planin afatmesëm dhe afatgjatë. Po ashtu në konferencë u tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për mbështetje, jo vetëm nga institucionet vendore, komuniteti akademik dhe shkencor, por janë veçanërisht të rëndësishme përvojat e vendeve përreth dhe të Bashkimit Evropian.
FITIM KRYEZIU
