Ekonomi
Propozim-vendimi për rishpërndarjen e buxhetit të vitit 2023, Besimi: Sigurohen paga, pensione, subvencione, investime
26.09.2023 15:35
Propozim-vendimi për rishpërndarjen e buxhetit të vitit 2023, në debat në Komisionin amë të Kuvendit....

Propozim-vendimi për rishpërndarjen e buxhetit të vitit 2023, në debat në Komisionin amë të Kuvendit. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se rishpërndarja ka parasysh interesin social, gjegjësisht përkrahjen e qytetarëve në kohë inflacioni. Ministri Besimi sqaron se kush përfiton nga rialokimi i buxhetit prej bruto 18, 2 miliardë denarësh.
“Ajo që propozohet është përkrahja e qytetarëve dhe standardit në kushte të inflacionit dhe pasojave nga kriza energjetike, e cila vazhdon të ketë ndikim në tregun evropian, por edhe në ekonominë tonë. Sigurimi i implementimit të marrëveshjes së përgjithshme kolektive të arritur me sindikatat në sektorin publik dhe kjo për rritjen e pagave për 10% dhe K-15 ku përfshimë një metodologji për zgjidhje të qëndrueshme sistematike rritje të pensioneve, rritje për transfere sociale, bujqësi, mbështetje të studentëve, ndihmë kompanive vendore dhe të jashtme, sigurimin e pakos për masat antikrizë.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Stojanovski: Inflacioni “gëlltit” rritjen e pagave
Për kryetarin e Komisionit për Financa dhe Buxhet, Stojanovski, rritja e pagave nuk është asgjë në krahasim me inflacionin e rritur në dy vitet e fundit.
“Në sektorin publik, pagat duhej të rriteshin më herët për dy arsye, për shkak se inflacioni në këto dy vite arriti mbi 30%, respektivisht inflacioni për prodhimet ushqimore dhe atyre për pije u rrit për mbi 50%, diçka që e dëshmon Enti për Statistikë si institucion relevant për rregullimin e këtyre çmimeve.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Financa dhe Buxhet, Bojan Stojanovski.
Nga Ministria e Financave sigurojnë se mjetet shtesë janë siguruar duke e lënë deficitin buxhetor në vlerë nominale, gjë që dëshmon përkushtimin për konsolidim gradual fiskal. Gjithashtu, me këtë rishpërndarje, sipas Besimit ruhet rregulli i artë në financa, gjegjësisht shpenzimet kapitale mbeten në nivel më të lartë se deficiti buxhetor dhe se asnjë projekt kapital nuk do të lihet anash.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
