Gjendja në veri të Kosovës, në Banjskë qetë, vëzhguar nga Policia

26.09.2023 15:49

Situata në veri të Kosovës...

Situata në veri të Kosovës vijon të jetë e qetë me kontrolle të vazhdueshme të Policisë, e cila nga Banjska e Zveçanit largoi edhe autoblindën e dytë të gjetur në dalje të zonës malore. Brenda autoblindës është gjetur armatim dhe uniforma. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të reja të sulmit në Banjskë, ku shihen terroristët serbë, të kryesuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.

“Kryekrimineli Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, ka qenë udhëheqës i sulmit të grupit terrorist. Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe dhe nënkryetarit Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS-ja e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.”,  ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Publikohen pamje për pjesëmarrjen e Radojçiqit

Organet e sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare kanë konfirmuar se ne mesin e të plagosurve është edhe Radojçiq, i cili po mjekohet në territorin serb nën përcjellje të xhandarmërisë serbe.

Sveçla: Terroristët synonin autonominë në veri

Sveçla në një intervistë për “Euronews” ka theksuar se terroristët kanë synuar që të zbresin më në jug në vijën e lumit Ibër dhe do të pamundësonin futjen e Policisë së Kosovës në të gjithë Veriun. Më pas ata do të shpallnin autonominë, në një skenar të ngjashëm me planin e Putinit për Donbasin në vitin 2014.

Ambasadorët e QUINT-it takojnë presidentin serb

Situata në veri të Kosovës ka alarmuar edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it: ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe shefi i delegacionit të BE-së, të cilët i kanë shkuar në zyrë presidentit serb, Alekandër Vuçiq.

Vuçiq kërkon KFOR-in në veri të Kosovës

Presidenti serb ka pretenduar se situata pas zhvillimeve në veri është një nga momentet më të vështira për Serbinë dhe ka kërkuar që KFOR-i të kujdesët për sigurinë në veri, në vend të Policisë së Kosovës.

“Po ashtu kam pyetur se pse EULEX-i është refuzuar nga Policia e Kosovës të marrë pjesë në vetë operacionin, i cili është kryer në territorin e veriut të Kosovës.”, – ka thënë Vuçiqi.

Stano: Autorët të përballen me drejtësinë, 30 ditë paraburgim për dy serbë të arrestuar

Bashkimi Evropian me kundërpërgjigje se EULEX-i është në terren dhe po bashkëpunon shumë mirë me autoritetet e Kosovës. Ata kërkojnë përgjegjësi nga autorët.

“EULEX-i është në terren, i angazhuar me kërkesë të Policisë së Kosovës. Bashkëpunimi deri më tani mes tyre është shumë i mirë. Kreu i misionit është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, dhe informon për të gjitha hollësitë në terren.”, shprehet zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ndërkohë gjykata në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve për dy serbët e arrestuar. Pala mbrojtëse ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj kësaj mase. Dy të dyshuarit dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetutës në Kosovë. (Meral Ismaili, TVM2)