Ekonomi
Qeveria, prej nesër ulen çmimet e pijeve
26.09.2023 16:22
Listën e produkteve me çmim të garantuar, Qeveria me vendimin e fundit e ka zgjeruar edhe me uljen e çmimeve...

Listën e produkteve me çmim të garantuar, Qeveria me vendimin e fundit e ka zgjeruar edhe me uljen e çmimeve të pijeve joalkoolike, ato të gazuar dhe pa gazuar, ujin mineral dhe birrat. Është sjellë gjithashtu edhe masë e re për uljen e marzhës për pemët dhe perimet që do të ndikojnë në mënyrë shtesë për uljen e çmimeve.
“Me ketë vendim, çmimet më të larta të produkteve përcaktohen në nivelin e çmimeve me përjashtim të çmimeve të shitjeve në aksion, të cilat janë përdorur me 19 shtator 2023 në tregtinë me shumicë, të cilat duhet të ulen për 10%. Tregtarët janë të obliguar që në mënyrë të qartë t’i etiketojnë çmimet me mbishkrimin “çmim i garantuar”. Në seancën e sotme sollëm vendim për të përcaktuar edhe marzhën më të lartë për pemët dhe perimet. Për të gjithë tregtarët që bëjnë pjesë në zinxhirin e tregtisë me shumicë përcaktohet në vlerë totale deri 10% , ndërsa në tregtinë me pakicë deri 15%. Me këtë presim që çmimi i pemëve dhe perimeve të ulet për 30%.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se edhe përskaj uljes çmimet janë të larta për standardin e tyre.
“Nuk po vërejmë ulje, shkruan aty se çmimi është i garantuar, por ulje nuk po vërejmë. Për standardin tonë çmimet janë të larta. Nëse dikush ka pension 15 mijë denarë, i cili duhet të paguajë rrymën, ilaçet, nuk i mbetet në fund asgjë.”, - tha një qytetar.
“Ka disa çmime që janë ulur si buka, brenda këtyre ditëve ka pasur zbritje edhe tek qumështi. Na kanë informuar tani se edhe tek pijet do të ketë ulje.”, - tha një qytetar tjetër.
“Çmimet janë të larta kundrejt pagave dhe pensioneve, shpresojmë se do të ulen por nuk kemi dëgjuar se janë ulur çmimet, ndoshta më vonë i zvogëlojnë.”, - u shpreh një qytetar.
“I zvogëluan tani, por para kësaj sa i rritën çmimet, përsëri ne qytetarët po humbasim. Me 20 mijë denarë çfarë do të bësh, me këto çmime të larta? Dje kërkoja vezë, çmimi është ulur, por nuk ka vezë, i fshehin kur të rriten çmimet, do t’i rikthejnë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Çmimet nuk janë reale, janë shumë të larta, kur unë me pension prej jashtë e vërej, mos të flas për këta që jetojnë këtu.”, - tha një qytetar.
Inspektorati i tregut ka njoftuar se kontrollet vazhdojnë, ndërsa gjatë ditëve të kaluar janë konstatuar parregullsi, ku janë mbyllur edhe 5 markete. Gjatë ditëve në vijim pritet edhe ulje e tatimeve të importit të perimeve, orizit, portokallit, mandarinave, limonit dhe uljen harxhimeve doganore për produktet qumështore.
GAZMEND KURTISHI
