AShAMV propozoi ndryshime në Kodin Zgjedhor, reklamimi politik vetëm në servisin publik
Partitë të mos marrin fare para nga buxheti...

Partitë të mos marrin fare para nga buxheti për t’u reklamuar gjatë zgjedhjeve, por të prezantojnë programin e tyre në servisin publik dhe kanalin parlamentar. Ndryshime të tilla propozohen nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, e cila është pjesë e grupit të punës që përgatit ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Monitorimi i AShAMV-së tregoi se reklamat me pagesë nuk do të ndikojnë fare në vendimin e votuesit, por do të ndikojnë në buxhet, tha drejtori i këtij institucioni, Zoran Trajçevski, i cili si shembull i përmendi rezultatet e zgjedhjeve lokale.
“Partia politike Aleanca për Shqiptarët, e cila bie në grupin e partive të mëdha dhe e cila ka pasur mundësi për mjete më të larta për reklamim politik, në ato zgjedhje për këshilltarë u reklamua përmes reklamimit politik gjashtë orë, kurse fitoi zero këshilltarë, kurse Lëvizja “Besa” e cila llogaritej në partitë më të vogla dhe nga buxheti i ndahen më pak mjete për reklamim politik, u reklamua vetëm 36 minuta dhe fitoi në ato zgjedhje.”, - deklaroi kryetari i AShAMV-së, Zoran Trajçevski.
Reklamat politike me pagesë kanë një rrezik serioz për korrupsion, pasi shteti nuk ka kontroll mbi mënyrën se si partitë shpenzojnë para për promovim në rrjetet sociale, pasi nuk janë të detyruara të raportojnë. Sipas Trajçevskit, burim për para janë mediat e internetit, të cilat hapen dhe janë aktive vetëm 20 ditë gjatë fushatës zgjedhore. Janë vënë re përpjekje për të marrë para për reklama edhe për ato që nuk janë transmetuar.
“Një deputet, i cili u bë deputet në vitin 2020, familja e tij ishte pronar i një mediumi, të cilit Agjencia ia mori licencën, por jo për shkak të reklamimit të paguar politik. Dorëzoi kërkesë deri te Agjencioni që t’i japë vërtetim se ka emetuar reklamim të paguar politik edhe pse mediumi disa muaj më parë kishte ndërprerë emetimin e programit.”, - theksoi kryetari i AShAMV-së, Zoran Trajçevski.
Ndryshime po përgatiten edhe në fushën e reklamave qeveritare. Për gazetarin Zharko Nastoski, ndarja e parave shtetërore për televizione të caktuara fsheh mundësinë e keqpërdorimeve. Shoqatat e gazetarëve kanë reaguar publikisht ndaj kësaj mënyre të financimit të medias, e cila ka qenë praktikë deri në vitin 2018. (Ersan Pajaziti, TVM2)
