Rrahmani i shkëlqen në derbin rumun

26.09.2023 18:15

Ndeshja e mbrëmshme e kampionatit rumun....

Ndeshja e mbrëmshme e kampionatit rumun mes Rapid Bukureshti dhe CFR Kluzh ka parë si protagonist absolut në fushë Albion Rrahmanin. Sulmuesi i transferuar nga radhët e Ballkanit gjatë verës, vazhdon të konfirmohet si një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm dhe ka ndihmuar ekipin e Rapidit që të fitojë me shifrat 3-1 ndaj një rivali direkt për zonat e larta në klasifikim. Rrahmani ishte protagonisti absolut i sfidës, pasi shënoi golin e avantazhit në minutën e 5-të, pasi kishte humbur penallti por përfitoi nga kthimi i topit nga portieri për ta shtyrë në rrjetë.

Pas barazimit të skuadrës mike, në radhët e të cilës aktivizohej Arlind Ajeti, ishte përsëri sulmuesi i Kosovës ai i cili kaloi në avantazh ekipin e tij në fillimin e pjesës së dytë.

Ndeshja thuajse perfekte e tij u kompletua në minutën e 71-të kur Petrila shënoi golin e rezultatit përfundimtar 3-1 falë një pasimi pikërisht të Rrahmanit.

Kështu, Rapid Bukureshti ngjitet falë kësaj fitoreje në vendin e tretë në renditje me 18 pikë, një më pak se CFR Kluzh i vendit të dytë.