Botë
Rama: Serbia po i fryn zjarrit të luftës
26.09.2023 18:44
Kryeministri Edi Rama reagoi për vendimin e Serbisë për të shpallur të mërkurën ditë zie...

Kryeministri Edi Rama reagoi për vendimin e Serbisë për të shpallur të mërkurën ditë zie kombëtare për sulmuesit e vrarë në Banjskë, duke e quajtur si një sinjal të keq që po i jep rajonit dhe komunitetit euro-atlantik.
“Në ndërkohë që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur! Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumenteve në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike!”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kreu i Qeverisë theksoi se ky moment duhet të jetë vendimtar për Serbinë që duhet ta ndajë nëse do të ecë përpara me Evropën dhe botën demokratike apo me të shkuarën.
“Me vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e së shkuarës së saj të palavdishme të viteve ’90-ta, me të nesërmen evropiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas Ramës, Bashkimi Evropian e ShBA-ja duhet të reagojnë menjëherë për ta ndaluar këtë situatë në veri të Kosovës.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parë! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Një mesazh në shënimin e tij, kryeministri Edi Rama e kishte edhe për Kosovën.
“Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti! Të gjitha rrugët e tjera, përveç kësaj të dytës, janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Evropës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë evropian.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
LULJETA NDOKA
