Botë
Kosovë, përfundon operacioni policor në Banjskë
27.09.2023 11:11
Policia e Kosovës ka përfunduar operacionin policor për bastisje në fshatin Banjskë të Zveçanit...

Policia e Kosovës ka përfunduar operacionin policor për bastisje në fshatin Banjskë të Zveçanit. Këtë e konfirmoi për KosovaPress, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
Gjatë ditës së martë, policia ka arrestuar në një hotel edhe dy persona të dyshuar, ndërsa në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh. Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar të hënën, numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë persona. Mjetet e konfiskuara gjatë së martës përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një ekskavator, të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe të armatimit. Përpos kësaj, policia sekuestroi armatim në sasi të madhe edhe gjatë së dielës.
Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre. Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
