Së paku 100 të vdekur nga zjarri në një dasmë në Irak
Së paku 100 njerëz kanë vdekur dhe 150 të tjerë janë lënduar si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një dasmë në veri të Irakut....

Qindra njerëz po festonin në Al-Hamdaniya në provincën veriore të Irakut, Nineveh, kur shpërtheu zjarri mbrëmjen e 26 shtatorit. Ende nuk dihet se çka e shkaktoi zjarrin, por raportimet e para thonë se erdhi si pasojë e ndezjes së fishekzjarrëve. Agjencia zyrtare e lajmeve e Irakut, INA, raportoi se numri i të vdekurve ka arritur në 100 dhe se më shumë se 150 të tjerë janë lënduar, sipas të dhënave të autoriteteve lokale në Nineveh. Numri i viktimave u konfirmua për agjencinë e lajmeve AFP edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Irakut, Saif al-Badr. Badr tha se shumica e të lënduarve po trajtohen për djegie apo për mungesë të oksigjenit.
