Maqedoni
Hapja e paraleles shqipe në Shkollën Fillore “Njegosh”, fëmijët shqiptarë ende nuk ndjekin mësimet
27.09.2023 14:45
Përderisa shumë fëmijë anembanë botës po ndjekin mësimet, fëmijët e vendbanimit Idrizovë...

Përderisa shumë fëmijë anembanë botës po ndjekin mësimet, fëmijët e vendbanimit Idrizovë nuk po mund të gëzojnë këtë të drejtë. Atyre edhe më tej po u pamundësohet të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Nga Këshilli i prindërve thonë se problemi qëndron te popullata maqedonase e asaj zone, të cilët kërkesës së prindërve shqiptar për hapjen e paraleles shqipe iu janë përgjigjur me bojkot të mësimit.
“Ata tash nga e premtja janë duke e bojkotuar mësimin dhe nxënësit e vet maqedonas nga klasa e gjashtë deri klasën e nëntë nuk janë duke mësuar, për arsye që mos të lejohet të hapet paralelja për gjuhën shqipe në Kolloni në shkollën “Njegosh”, ku edhe kërkojnë nga ministri të ndërpresë këtë të drejtë për neve. Bojkoti i tyre vazhdon dhe kanë thënë që nëse është nevoja do të vazhdojnë deri në fund të vitit vetëm që të mos hapet paralelja në gjuhën shqipe.”, - u shpreh Rizvan Seferi nga Këshilli i prindërve.
Seferi shprehet se është e pakuptimtë që prindërit maqedonas të protestojnë kundër arsimimit të fëmijëve shqiptarë në gjuhën e tyre amtare, edhe pse Inspaktorati i Arsimit ka kontaktuar se në shkollën “Njegosh” ka hapësira të mjaftueshme për hapjen edhe të një paraleleje.
“Informatat nga Inspektorati i Arsimit janë në favor tonë, janë në pozicion të mirë, ku edhe vet drejtori Halili ka treguar se shkolla ka hapësirë, shkolla ka kushte dhe nuk ka nevojë për shkollë tjetër, që nxënësit e klasës së gjashtë deri në vazhdimin e klasës së nëntë kanë vend aty për të mësuar dhe nuk ka nevojë për të shkuar në shkolla tjera.”, - theksoi Rizvan Seferi nga Këshilli i prindërve.
Këshilli i prindërve shqiptarë kanë pasur takim edhe me ministrin e Arsimit, i cili sipas Seferit ka thënë se deri ditën e premte do të zgjidhet kjo çështje.
ERSAN PAJAZITI
