Botë

Skenari për gjakderdhje në Kosovë, Kurti: Ishin investuar 5 milion euro për armatim

27.09.2023 14:58

Me një minutë heshtje për policin e vrarë Afrim Bunjaku, Qeveria e Kosovës ka filluar mbledhjen e saj....

Me një minutë heshtje për policin e vrarë Afrim Bunjaku, Qeveria e Kosovës ka filluar mbledhjen e saj, në të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se të dielën e 24 shtatorit nga sulmi terrorist është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Në skenarin për gjakderdhje në Kosovë ishin investuar mbi 5 milion euro për armatim për qindra luftëtarë, të cilët kishin përkrahjen e presidentit serb Vuçiq, theksoi kryeministri, Kurti. 
 
“Po atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilët i kemi luftuar për më shumë se dy vite e gjysmë. Me mbi 5 milion euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarësh, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë. Për vepra penale në Kosovë, ata shfaqen në krah e në një tryezë në Beograd e në Rashkë me presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke paralajmëruar rolin e shtetit serb në këtë mes. Përballë kësaj është dëshmuar profesionalizmi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës dhe institucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën. Ky është suksesi i tyre më i madh që prej shpalljes së pavarësisë. Kjo na bën krenarë të gjithëve dhe secilin.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Njëherit në këtë mbledhje Qeveria solli vendim për t’i ndarë familjes së policit 50 mijë euro. Po ashtu ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njoftoi se Qeveria është në pritje të krijimit të kushteve të nevojshme për t’i vlerësuar dëmet e shkaktuara gjatë sulmit terrorist të së dielës në Manastirin e Banjskës dhe më pas do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale, me qëllim sanimin e dëmeve në këtë manastir. 
 
Osmani thërret në takim krerët e partive politike
 
Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim liderët e partive parlamentare për të diskutuar rreth gjendjes së sigurisë pas sulmit terrorist të së dielës. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit te presidentja, tha se kjo që ndodhi të dielën ishte pastër terrorizëm.
 
“Institucionet e sigurisë së Kosovës, si ato civile, ashtu edhe ato të uniformuara, e kanë bërë punën në mënyrën më të mirë të mundshme mjaft të suksesshme. I përgëzoj të gjithë, por duhet të bëjmë kujdes që edhe vendimmarrësit politik ta kryejnë me sukses pjesën e vet.”, - theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
 
Në takim te presidentja Osmani ishte edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponzorues e strehues i terroristëve. Në takim te presidentja Osmani ishte edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
 
Elshani: Nuk kishim për qëllim të vrisnim 30 persona
 
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se Policia nuk ka pasur qëllim ta vrasë asnjërin nga sulmuesit në Manastirin e Banjskës.
 
“Nuk kemi pasur qëllim t’i vrasim 30 personat, nuk kemi pasur për qëllim të vrasim asnjë njeri. Qëllimi ynë ka qenë ta marrim territorin tonë që është i vendit tonë, ta lirojmë këtë vend nga njerëzit e grupeve kriminale që nuk duhet të jenë këtu dhe nëse gjatë atij procesi ka pasur të lënduar apo viktima, ajo është pjesë e procesit.”, - u shpreh zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
 
Policia e Kosovës në ditën e katërt pas sulmit terrorist ka lejuar gazetarët të vizitojnë Manastirin e Banjskës, ku të dielën qëndruan të strehuar për disa orë pjesëtarët e grupit terrorist, në mesin e të cilëve edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq. 
 
GYLTENE SINANI