Konferenca e A5, mbrojtja kolektive është domosdoshmëri
Krijimi i raporteve stabile...

Krijimi i raporteve stabile në rajon dhe kërcënimet hibride ishin çështjet kryesore që u diskutuan në konferencën e 26-të të shefave të ushtrive të Kartës së Adriatikut dhe Shteteve të Bashkuara, që u hap në Shkup.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së RMV-së dhe komandanti i Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë, thanë se pas luftës në Ukrainë është treguar se bashkëpunimi me partnerët është më i nevojshëm se kurrë më parë.
“Jemi dëshmitar të armiqësisë dy vjeçare në territorin e Ukrainës dhe duke analizuar zhvillimin e ngjarjeve në fushë betejën, leksionet tona i ndajmë jo vetëm me aleatët tonë, por edhe me partnerët tanë të A5. Me qëllim të ballafaqimit me të gjitha sfidat që paraqiten nga realiteti i kufirit lindor të NATO-s, Maqedonia e Veriut ka bërë lëvizje të rëndësishme për të investuar në modernizimin dhe pajisjen e saj.”, - deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës së RMV-së, Vasko Gjurçinovski.
“Të gjitha vendet e pranishme këtu kanë programe të rëndësishme për bashkëpunim të përbashkët dhe marrin pjesë si partnerë dhe aleatë në modernizimin e NATO-s në kuadër të konceptit të mbrojtjes kolektive. Pushtimi i Rusisë na kujton gjithashtu se ne duhet të punojmë për stabilitet çdo ditë dhe ngjarjet në këtë rajon që ndodhën së fundmi tregojnë se ne të gjithë duhet të kontribuojmë për stabilitetin çdo ditë.”, - theksoi komandanti i Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë, Kristofer Kavoli.
Presidenti Pendarovski dhe ministrja e Mbrojtjes, Petrovska, përcollën mesazhin se prolongimi i integrimeve evropiane krijon rrezik për kërcënime hibride dhe shembje të stabilitetit të rajonit.
“Ritmi i ngadaltë i procesit të integrimit në Union është një nga kërcënimet për demokracinë në Ballkan. Disa sondazhe të opinionit publik tregojnë se mbështetja për organizatat dhe vendet me orientim perëndimor është në rënie, dhe për herë të parë në tre dekada, mbështetja për disa organizata të tjera rajonale dhe modele të ndryshme qeverisjeje po rritet.”, - u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.
“Ne jemi të vetëdijshëm për agresionin e padrejtë të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo luftë kontribuoi në ndryshimin e qasjes doktrinore dhe konceptuale ndaj luftës sot dhe në të ardhmen. Ne e dimë gjithashtu rolin e luajtur nga lufta hibride, dezinformimi dhe teknologjitë moderne në fushën e betejës. Këto janë sfida të cilave duhet t'u përgjigjemi të gjithë së bashku sa më shpejt të jetë e mundur.”, - theksoi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe shefat e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe Ushtrisë së Malit të Zi, si dhe drejtues të lartë ushtarakë nga Komanda e Përbashkët e NATO-s nga Napoli dhe nga Komanda Evropiane e ShBA-së. (Sanije Duraku, TVM2)
