Maqedoni
Propozim-ligji për amnisti, opozita kundër, Mickoski paralajmëron bllokim
27.09.2023 16:06
Ligji për amnisti përplas pushtetin me opozitën edhe pas harmonizimit në Qeveri...

Ligji për amnisti përplas pushtetin me opozitën edhe pas harmonizimit në Qeveri dhe në prag të dorëzimit në procedurë parlamentare. Ministria e Drejtësisë kërkon që ligji të kalojë me procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe siguron se me të s’do të falen autorët e veprave të rënda sikurse vrasje, vepra kundër zgjedhjeve, lirisë dhe barazisë gjinore, dhunës familjare, rendit publik dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Gjithashtu, mëshirë nga shteti s’do të marrin as të dënuarit për vjedhje, keqpërdorim të fondeve të BE-së, pastrim parash, rryshfet. Amnistia nuk ka të bëjë për veprat që janë kryer nga 1 shtatori i vitit 2023. Opozita shqiptare kundërshton ligjin, pasi sipas tyre nuk është në interes të qytetarëve, as procesit integrues, por krimit.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se deputetët e partisë së tij do të bllokojnë ligjin, pasi sipas tij pushteti dëshiron të lirojë kriminelë.
“Po, ne do ta bllokojmë, nuk duhet të dyshoni në këtë. Ky nuk është ligj me flamur evropian, siç ishin ndryshimet në Kodin Penal dhe ne do ta bllokojmë në kuadër të procedurës parlamentare, pasi që ky ligj është me qëllim të dyfishtë, e para është që të lirojnë kriminelë të cilët vuajnë dënim me burg, pasi ashtu u kanë premtuar. Ata kriminelë të gjinden në rrugë dhe t’i bëjnë probleme Qeverisë së ardhshme të VMRO-DPMNE-së, duke menduar se në këtë mënyrë do të fitojnë diçka.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Kovaçevski: VMRO-ja merret vetëm me bllokime
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se opozita nuk di gjë tjetër, përpos bllokimeve dhe rikujton se ligj të ngjashëm ka pasur në vitin 2018-të.
“Nuk ka zgjidhje në Kuvend që nuk është bllokuar nga opozita. Prej kur që jam pjesë e Qeverisë, qoftë ministër i Financave ose kryeministër, strategjia e opozitës është bllokimi.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, Ligji për amnisti përfshin 250 të burgosur. Plotësisht do të falen personat që vuajnë dënim prej gjashtë muajve privim nga liria, ndërkaq të burgosurve me mbi gjashtë muaj burgim do t’u falet 30% nga dënimi total.
MERAL ISMAILI
