Maqedoni

Mungesa e librave shkollorë, Dauti: Mungojnë mbi 45 mijë libra, MASh: Tekste shtypen dhe dorëzohen në faza

27.09.2023 17:28

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ku ministri edhe zëvendësministri i Arsimit janë shqiptar...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ku ministri edhe zëvendësministri i Arsimit janë shqiptar duhet të ndjehet e turpëruar për mënyrën e saj të dështuar, për të siguruar librat shkollorë të premtuar për nxënësit e Tetovës, tha sot  Nazmi Dauti, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës. Sipas tyre mungojnë mbi 45 mijë libra në shkollat fillore dhe të mesme.

“Në shkollat e Tetovës mungojnë mbi 45 mijë libra dhe situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Nxënësit po përballen me vështirësi të pashembullta për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre themelore, ndërsa MASh-i duket se është në një gjendje të përgjumur. Kjo mungesë e theksuar e teksteve shkollore është një dështim i qartë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përmbushur premtimet e tyre ndaj arsimit. Nxënësit janë të deprivuar nga një burim mësimor themelor, duke u detyruar të mbështeten në shënime me dorë dhe materiale të kufizuara. MASh-i duhet të marrë përgjegjësi për këtë dështim të madh dhe të ndërhyjë menjëherë për të siguruar librat e nevojshëm shkollorë për nxënësit e Tetovës.”, - theksoi Nazmi Dauti nga Komuna e Tetovës.

Nga  Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë  se librat shpërndahen në faza.  Ndërsa nuk tregojnë  se kur  ky problem do të zgjidhet dhe nxënësit të mos humbin më orë mësimore.

“Pas më shumë se një dekade, nxënësit e shkollave të mesme marrin tekste shkollore të reja në një numër të madh të lëndëve. Megjithatë, vetëm për një periudhë 1 vjeçare, Komisioni Kombëtar i Teksteve Shkollore miratoi mbi 150 tekste shkollore për arsimin e mesëm, me fokus të veçantë në atë profesional dhe të njëjtat tekste shkollore janë duke u shtypur dhe dorëzuar në faza.”, thuhet në  komunikatën nga MASh-i.

Në Tetovë mungesë më të madhe kanë shkollat profesionale, të cilëve u mungon mbi 95% e teksteve mësimore. Ditë më parë për  mungesë të librave, nxënësit e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” protestuan, kurse nga Ministria e Arsimit njoftuan se ka përfunduar dorëzimi i teksteve shkollore në këtë shkollë, në pajtueshmëri me nevojat e shprehura të së njëjtës.

VISAR SADIKI