Gjykata Kushtetuese, anulohet udhëzimi për librat amë
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të anulojë Udhëzimin për regjistrat amë...

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të anulojë Udhëzimin për regjistrat amë, akt i miratuar nga Ministria e Drejtësisë me të cilin ishte e paraparë grafë e posaçme për shënimin e përkatësisë etnike. Nga Gjykata Kushtetuese theksojnë se Udhëzimi është anuluar, për shkak të shkeljes së nenit 52 paragrafi 2 i Kushtetutës, përkatësisht nuk është respektuar afati kushtetues prej më së shumti 7 ditë, në të cilin është dashur të publikohet ky udhëzim. Vendimi në fjalë ka fuqi prapaveprues dhe me këtë do të anulohen të gjitha veprimet nga momenti i miratimit të aktit.
“Vendimi është marrë me shumicë të votave dhe do të publikohet në gazetën zyrtare. Të sqaroj se kur Gjykata Kushtetuese merr vendim për anulim, ajo nënkupton se vendimi ka veprim prapaveprues nga momenti i miratimit të aktit që anulohet.”, - theksoi zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Bellovska.
Gjykata Kushtetuese në fillim të korrikut kishte ndërprerë përkohësisht udhëzimet për dhënien e dokumenteve personale me rubrikën për përkatësinë etnike. Shënimin e përkatësisë etnike në certifikatat e lindjes në Gjykatën Kushtetuese e ka kontestuar edhe partia E majta.
FLORIJE KAMBERI
