Ministrja për punë dhe politikë sociale viziton Kryqin e Kuq në Strugë: Projekti për kujdesin e pleqve po shkon shumë mirë
Sot ministrja për punë dhe politikë sociale, Jovanka Trançevska, vizitoi Kryqin e Kuq...
Sot ministrja për punë dhe politikë sociale, Jovanka Trançevska, vizitoi Kryqin e Kuq dhe Qendrën për Punë Sociale në Strugë. Qëllimi i vizitës ishte projekti për kujdesin e pleqve dhe personave që kanë nevojë, i cili është në kuadër të reformës sociale të realizuar nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa Kryqi i Kuq është edhe ofrues i shërbimit të ndihmës dhe përkujdesjes në shtëpi.
Gjithsej 54 qytetarë e marrin këtë shërbim në Strugë dhe rajon, nga 20 kujdestarë të licencuar. Kujdestaret janë kryesisht gra të cilat nuk kanë punuar më parë, nëna beqare. Ministria theksoi se me këtë projekt u jepet shërbim personave në nevojë e në të njëjtën kohë u jepet punë dhe të ardhura grave të cilët kanë qenë të papuna.
“Ky është një aspekt që Ministria për Punë dhe Politikë Sociale e vendosi përmes shërbimeve për forcimin ekonomik të gruas dhe përfitimi i dytë i reformës sociale që u fut në vitin 2019 është që shërbimet të jenë pranë qytetarëve. Me këtë 54 qytetarë në komunën e Strugës marrin ndihmë dhe kujdes në shtëpi. Bëhet fjalë për persona të rritur mbi 65 vjeç, të cilët nuk kanë kush të kujdeset për ta.”, - deklaroi ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovanka Trençevska.
Nga Kryqi i Kuq thonë se një shërbim i tillë ka qenë shumë i nevojshëm në komunën tonë, sepse në vend që qytetarët e moshuar të dërgohen në shtëpi për të moshuar, ata ndihmën e marrin në shtëpitë e tyre.
“Kemi 20 kujdestarë të pleqve të cilët për momentin janë të punësuar me 160 në muaj, edhe më shumë besoj se ato tashmë janë lidhur familjarisht dhe për çdo ditë e bëjnë këtë punë. Vazhdon çdo ditë e më tepër kërkesa rritet, kjo është një mënyrë se si të përmirësohen kushtet e jetesës në shtëpitë e tyre pa pasur nevojë për t’i ngarkuar institucionet.”, - theksoi drejtoresha e Kryqit të Kuq në Strugë, Adhurime Dauti.
Kërkesa për të marrë këtë shërbim është shumë e madhe, janë dhjetëra persona të cilët kanë aplikuar në Qendrën për Punë dhe Politikë Sociale në Strugë, por momentalisht janë vetëm 20 kujdestarë dhe është e pamundur që të jepet shërbimi për të gjithë. Megjithatë pritet që numri i kujdestarëve të rritet dhe t’u jepet shërbimi të gjithëve që kanë nevojë.
ILMIE ZHAKU
