Botë
Policia speciale në Kosovë rrit praninë në veri, pas sulmit në Banjskë
28.09.2023 10:48
Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit solli edhe më shumë forca speciale të Policisë së Kosovës...

Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit solli edhe më shumë forca speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se policia ka rritur tashmë praninë e saj në veri.
“Kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të Policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm.”, tha Hoxha. Sipas tij, institucioni që ai drejton, është vazhdimisht në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.
Duke folur në ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “nuk ka asnjë marrëveshje apo rregull që ndalon policinë speciale të Kosovës që të veprojë edhe në katër komunat në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, sikurse gjithandej në territorin e Republikës.”.
Në reagimet e tij, Bashkimi Evropian ka dënuar po ashtu sulmin në Banjskë dhe ka thënë se “të gjitha faktet për të duhet të vërtetohen”. Për praninë e forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri nuk është deklaruar. Kosova, ndërkaq, ka fajësuar Serbinë për sulmin në Banjskë, ndërsa Serbia ka drejtuar gishtin kah serbët e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje të dyja palëve që të kthehen në rrugën diplomatike.
