Botë
Nagorno-Karabakh do të pushojë së ekzistuari nga janari 2024
28.09.2023 12:28
Republika e vetëshpallur e Nagorno-Karabakh njoftoi sot shpërbërjen e të gjitha institucioneve të saj nga 1 janari 2024...

Republika e vetëshpallur e Nagorno-Karabakh njoftoi sot shpërbërjen e të gjitha institucioneve të saj nga 1 janari 2024, një javë pas sulmit të suksesshëm nga Azerbajxhani dhe pas 30 vitesh konflikt. Në një dekret të liderit të kësaj enklave, Samvel Sahramanyan, shpallet shpërbërja e “të gjitha institucioneve dhe organizatave qeveritare më 1 janar të vitit 2024” dhe thuhet se si rezultat, “Republika e Nagorno -Karabakh pushon së ekzistuari”. Separatistët armenë në Nagorno-Karabakh javën e kaluar pësuan një disfatë ushtarake brenda 24 orëve që i detyroi ata të kapitullonin ndaj Azerbajxhanit. Më shumë se 65 mijë armen u larguan nga Nagorno-Karabakh në Armeni.
“Ne po monitorojmë nga afër situatën. Para se gjithash, natyrisht, aspekti humanitar është më i rëndësishmi. Ne, paqeruajtësit tanë, vazhdojmë të ndihmojmë njerëzit. Shumë njerëz tani po shprehin dëshirën për t'u zhvendosur në territorin e Armenisë dhe ne po ofrojmë mbështetje për të gjithë ata që e dëshirojnë atë.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Azerbajxhani nga ana tjetër përkujtoi viktimat e luftës së Nagorno-Karabakh-ut në vitin 2020.
“Jam edhe i lumtur edhe i trishtuar. Jam i trishtuar sepse kemi dëshmorë, e më vjen mirë që vendet tona nuk janë më nën okupim. Ne kemi një plan ushtarak.”, - theksoi pjesëmarrësi në luftën e dytë në Nagorno-Karabakh, Salamuma Jolçujev.
Paraprakisht, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Azerbajxhanit arrestoi ish-kreun e Qeverisë Separatiste të Nagorno-Karabakh-ut duke e akuzuar atë për financim të terrorizmit dhe krime të tjera. Azerbajxhani konfliktin e quajti një "operacion lokal antiterrorist". Më parë, 68 persona që planifikonin të largoheshin nga Nagorno-Karabakh u vranë në një shpërthim të madh në një magazinë karburanti, 300 të tjerë u plagosën dhe 105 rezultojnë të zhdukur. Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, i bëri thirrje presidentit të Azerbajxhanit, Aliyev, të sigurojë mbrojtje të pakushtëzuar të lirisë dhe lëvizjes së civilëve.
BELINDA KOKA ADEMI
