Botë

Kuvendi i Republikës së Kosovës me rezolutë dënon sulmin terrorist të së shtunës

28.09.2023 14:43

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën dënohet sulmi terrorist i së dielës në veri të vendit....

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë me të cilën dënohet sulmi terrorist i së dielës në veri të vendit. Të gjitha partitë politike parlamentare, përfshirë edhe ato të minoriteteve jo serbe, ashtu si edhe kryeministri Albin Kurti, ishin të njëzëshëm në konstatimin se sulmi terrorist ishte i mbështetur ushtarakisht dhe politikisht nga Serbia.
 
“Është e rëndësishme me këtë rast të theksohet se bëhet fjalë për një bandë kriminale, e cila nuk ishte bandë e kontrabandës, e as qytetarët që i kanë kapur armët, por profesionistë me trajnime luftarake dhe me lloje të armatimeve që i përmenda para jush e që e kanë origjinën nga Serbia. Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake, e gjithashtu qëllimet politike e mbështetjen logjistike.”, - deklaroi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
 
“Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën tonë, adresën kryesore e ka në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes së Millan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi më pas i tyre në Serbi, lartësimi i tyre si heronj nga institucionet zyrtare të Serbisë, përfshirë shpalljen e ditës së djeshme atje si ditë zie, tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin serb.”, - theksoi kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi.
 
“Faktet megjithatë janë të qarta, Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë, Kosova nuk ka vrarë një polic të një shteti tjetër, nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër, në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur pasi kanë vrarë një polic të një shteti tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare, Kosova nuk ka rrezikuar popullsi civile. Përkundrazi, Policia e shtetit të Kosovës, me profesionalizëm ka asgjësuar rrezikun terrorist, duke mbrojtur secilin civil në Manastir.”, - u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 
 
“I mposhtëm me turp dhe e vërtetuam se asnjëherë askush nuk do të mundet të rrezikojë Kosovën. Një rezolutë që dënon sulmin terrorist dhe sponsorë të terrorizmit është e drejtë e Parlamentit të Kosovës dhe duhet ta aprovojë. Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim ndërkombëtar do të ndihmonte jo vetëm zbardhjen e involvimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë sponsorët e terrorizmit dhe terroristët.”, - theksoi Ramush Haradinaj nga AAK-ja.                                                                                   
“Përballë kësaj tragjedie duhet të riafirmojmë vendosmërinë tonë kolektive. Qeveria e Kosovës, e ngarkuar me detyrën kryesore për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, ka mbështetjen tonë të qartë dhe pa rezervë deri në fund. Sot qëndrojmë qartazi të bashkuar kundër terroristëve që minojnë përparimin arritur me shumë vështirësi të Kosovës.”, - u shpreh Enis Kerman nga Grupi Parlamentar Multietnik.  
 
Deputetët dhe Qeveria e Kosovës kërkuan që Serbia të sanksionohet ndërkombëtarisht, pasi në të kundërtën ekziston rreziku që ta përsërisë krimin. Po ashtu u kërkua ekstradimi i grupit terrorist që u strehua në Serbi, pasi kreu sulmin në veri të Kosovës, ku la të vrarë një pjesëtarë të policisë dhe dy të tjerë u lënduan. 
 
GYLTENE SINANI