Maqedoni

Hapja e paraleles shqipe në Sh. F. “Njegosh”, nxënësit shqiptarë ende nuk po ndjekin mësimet

28.09.2023 15:33

Nuk ka asgjë të re lidhur me hapjen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Njegosh”....

Nuk ka asgjë të re lidhur me hapjen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Njegosh”. Siç informojnë nga Këshilli i Prindërve, shumica e popullatës maqedonase të Idrizovës mbështesin prindërit shqiptarë për hapjen e paraleles shqipe, por  problemi qëndron vetëm te disa persona të fshatrave Kolloni, Jorumleri dhe Skopsko Pole. Ata kundërshtojnë që të hapet paralele në gjuhën shqipe, me arsyetimin për mungesën e hapësirave, edhe pse Inspektorati i Arsimit ka konstatuar se ka hapësira të mjaftueshme në shkollën “Njegosh”.  
 
“Janë vetëm disa persona që e pengojnë paralelen e gjuhës shqipe, të cilët kanë kërkuar nga komuna dhe ministri që nxënësit tonë të udhëtojnë deri sa të bëhet shkolla ose të mësojnë tek Shtëpia e Pleqve, t’ua bëjnë një klasë. Ne assesi nuk pranojmë, ne pranojmë që nxënësit tonë të mësojnë në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Njegosh”, ku ajo shkollë është e ndërtuar edhe prej neve shqiptarëve, e ndërtuar disa vite më parë.”, - u shpreh Rizvan Seferi nga Këshilli i Prindërve. 
 
Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Demokratike, Lëvizja “Besa” dhe Alternativa shprehën shqetësimin për moszgjidhjen e situatës me hapjen e paraleles në shkollën fillore “Njegosh” të vendbanimit Idrizovë, kurse kërkojnë që MASh-i urgjentisht të gjejë zgjidhje për këta nxënës. 
 
“Edhe pse e drejtë e garantuar me Kushtetutë e me çdo konventë ndërkombëtare, nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ende përballen me probleme esenciale, si ajo e nxënies së mësimit në gjuhën e tyre amtare. Përveç që është e dhimbshme të shohësh fëmijët dhe arsimin shqip të katandisur në këtë mënyrë, është irrituese se pse ende nuk është marrë një masë për tejkalimin e kësaj situate. Asnjë justifikim objektiv nuk është i mjaftueshëm për ta racionalizuar këtë nevojë elementare të nxënësve shqiptarë.”, thuhet në komunikatën e tre partive opozitare shqiptare.
                               
Lidhur me akuzat e partive opozitare shqiptare kontaktuam ministrin e Arsimit, por i njëjti nuk dha përgjigje, vetëm shkurtimisht u shpreh se nuk ka ndjekur qëndrimin e opozitës shqiptare.
 
ERSAN PAJAZITI