Maqedoni
PDSH i shpall luftë Zaevit: larg duart nga shqiptarët
10.03.2015 15:31
Deklaratat e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, se Partia Demokratike Shqiptare në opozitë është në shërbim të plotë të pushtetit, kanë nxitur reagimin e drejtuesve të kësaj partie...

Nga PDSH-ja kanë akuzuar Zoran Zaevin se i gjithë ky skandal me publikimin e përgjimeve qëllim kryesor ka diskreditimin politik të PDSH-së. Sipas tyre, Zaev tregoi në mënyrë histerike tërë mllefin që e ka ndaj gjithë shqiptarëve.
“Zoran Zaev, ashtu si tentoi ta njollosë opozitën shqiptare në Maqedoni, PDSH-në pa asnjë fakt, të njëjtën gjë bëri për udhëheqësit shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës, duke dhënë kualifikime politike me tendencë të qartë për të vënë në hipotekë tërë klasën politike shtetërore shqiptare. PDSH, urgjentisht kërkon nga MPJ-a e Maqedonisë që t’i kërkojë falje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për skandalin e madh që bëri Zoran Zaev me shpifjet e tij”- deklaroi Bekim Fazliu nga PDSH.
Zaev, për një medium të Shqipërisë tha se dy partitë shqiptare në një farë mënyre janë pjesë e qeverisë, duke e quajtur PDSH-në si e ashtuquajtura opozitë.
Për këtë, deklaroi Zaevi, do të binden shqiptarët pas prezantimit të bisedave.
Lidhur me thellimin e krizës politike ka reaguar edhe lideri i Lidhjes Demokrate të Maqedonisë, Pavle Trajanov.
Ai sot ka kërkuar të zhvillohet debat i hapur në kuvend lidhur me zhvillimet e fundit.
“Republika e Maqedonisë po futet në një krizë të thellë politike dhe konsideroj se në kuvend duhet të hapet një debat i hapur lidhur me situatën aktuale në vend. Kjo situatë po ndikon negativisht në procesin integrues të vendit, stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e institucioneve”- tha Pavle Trajanov nga LD-ja.
Trajanov, ka kërkuar formimin e një komisioni ku do të përfshiheshin ekspertët për t’i hetuar të gjitha çështjet.
Ai beson se nëpërmjet dialogut do të mund të arrihet zgjidhje, ndërsa nuk e përjashton edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
NAIM RAMADANI
