Maqedoni
Fushata “Ne jemi Evropë”, Mariçiq nga Shtipi: Për 4 vite do të ndërtohen nga 23km autostradë në vit
28.09.2023 15:50
Në kuadër të fushatës “Ne jemi Evropë”, zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq...

Në kuadër të fushatës “Ne jemi Evropë”, zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq, së fundmi është ndalur në qytetin e Shtipit, ndërkaq fjalimin dhe bisedën me qytetarët e këtij vendi, e ka fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës së vendit. I dyti i ekzekutivit ka folur edhe për përmirësimin e magjistraleve dhe rrugëve shtetërore. Sqaron se sa do të punohet në projektin e korridorit 8 dhe 10-D në nivel vjetor. Rrugët e moderuara çojnë në BE, thotë Mariçiq.
“Me performancën e korridoreve 8 dhe 10-D, në katër vitet e ardhshme do të ndërtohen nga 23 kilometra autostradë në vit. Me realizimin e projektit më të madh infrastrukturor deri më tani, e që janë korridore panevropiane, për herë të parë pas 30 viteve do të ndërlidhemi me lindjen dhe perëndimin, përmes infrastrukturës rrugore moderne. Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D do të thotë 8,000 vende të reja pune dhe investime të reja prej 1,3 miliardë euro dhe po ashtu mundësi për biznes.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq.
Ndërtimi i rrugëve dhe autostradave, sipas Mariçiqit, janë pjesë e perspektivës evropiane dhe qëllimit për anëtarësim deri në vitin 2030, meqë ndërtimi i infrastrukturës do të thotë jetë, standard dhe e ardhme më e mirë për qytetarët e vendit. Tribunën e hapur me qytetarë, zëvendëskryeministri Mariçiq e vazhdon në qytetin e Ohrit për të diskutuar për turizmin, ndërkaq ky lob, sipas tij, ka për qëllim njoftimin për së afërmi të qytetarëve mbi dobitë e anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
