Maqedoni
Kuvend, opozita kërkon llogari për rastin “Onkologji”
28.09.2023 16:09
Skandali në Onkologji dhe protesta e pensionistëve u bë “mollë sherri” për funksionarët e pushtetit dhe deputetët...

Skandali në Onkologji dhe protesta e pensionistëve u bë “mollë sherri” për funksionarët e pushtetit dhe deputetët e opozitares maqedonase, VMRO-DPMNE. Nga kjo parti kërkojnë dhe pyesin pushtetin se pse ende nuk është zbardhë skandali në Onkologji, pse terapia e Onkologjisë nuk është në listën pozitive dhe në xhepin e kujt kanë përfunduar paratë e vjedhura nga pacientët. Deputeti Ristevski, gjithashtu akuzoi ministren Trençevska se po tallet me situatën e pensionistëve.
“Kanë kaluar më shumë se një muaj nga skandali monstruoz në Onkologji dhe zbardhja as që është afër. Çfarë nëse keqpërdorimi në Onkologji është pasojë për borxhet në 3 vitet e fundit? Kush ka lejuar veprim të kundërligjshëm dhe kundërkushtetues ndaj pacientëve edhe përkundër të drejtës së garantuar për mbrojtje shëndetësore. Pse terapia e Onkologjisë nuk është në listën pozitive. Në xhepat e cilëve janë parat e vjedhura? Pensionistët nuk janë në rrugë nga qejfi, ata kërkojnë rritje të pensioneve për një jetë dinjitoze.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Petar Ristevski.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë tha se është shqetësuese shpërndarja e dezinformatave për keqpërdorim të ilaçeve dhe kjo mund të ndikojë negativisht në shëndetin e pacientëve aktual. Ajo bën të ditur që MSh-ja dhe Onkologjia vazhdimisht bashkëpunojnë me MPB-në dhe PP-në dhe apelon që të zbardhet rasti.
“Procedura rreth rastit në Onkologji nuk ka mbaruar dhe nuk mund të jepen kualifikime se askush s’do të përgjigjet për këtë. Në komunikim të vazhdueshëm edhe MSh-ja edhe Klinika e Onkologjisë, bashkëpunojnë dhe i dorëzojnë të gjitha të dhënat e nevojshme MPB-ja dhe PP-ja. Apelojmë deri te këto institucione që të zbardhin sa më shpejt, që të mos kemi kësi lloj kualifikimesh joadekuate.”, - theksoi zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva.
Ministrja Trençevska kërkoi që VMRO-DPMNE-ja të ndalet me akuza të pabaza që janë vetëm në shërbim të pikëve politike ditore.
“Mjaft me popullizëm për pikë të vogla politike. Mjaft me gënjeshtra dhe të pavërteta. Socialdemokratët dhe Qeveria në krye me kryeministrin kujdesen për pensionistët dhe për të gjithë qytetarët dhe këtë do ta dëshmojmë në javët në vazhdim me pakot e reja antikrizë.”, - deklaroi Jovanka Trençevska nga MPPS-ja.
Dafina Stojanovska akuzon Mariçiqin për sjellje jokorrekte
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, e replikoi Trençevskën, duke i thënë se ka ngatërruar foltoren e Kuvendit me atë të tubimeve partiake. Gjatë fjalimit të saj akuzoi zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, se i ka dërguar puthje dhe i ka shkelur syrin.
“Tmerr, Ju jeni tmerr. Le t’ju incizojnë se si dërgoni puthje. Si nuk ju vjen turp. Tmerr. Ky është një skandal me përmasa të papara. Nuk mund të lejohet të silleni kështu, këtë sjellje mundet t’ua lejojnë vetëm në shtëpi.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Ilire Dauti: Pse nuk shkelen afatet ligjore për shtetësi?
Ndërkohë deputetja e Aleancës për shqiptarët, kërkoi përgjigje nga ministri Spasovski, për mosmarrjen së nënshtetësive.
“Përgjigja është se janë ndërmarrë aktivitete shtesë. Në qoftë se ato aktivitete do të ishin ndërmarrë ashtu siç duhet, kjo lëndë veç më do të ishte e zgjidhur. Ministër, këta njerëz i kanë shpresat te ne. Një personit që i mungon lidhja juridike me shtetin s’ka si të ndihet ndryshe përveç se si asgjë. Ashtu pastaj fillon të trajtohesh nga rrethi.”, - u shpreh deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.
Kryetari i së Majtës, Apasiev, reagoi se me kësi lloj nënpyetjesh, pushteti e stërzgjatë situatën që partitë e vogla të mos munden të parashtrojnë pyetje.
SANIJE DURAKU
