Botë
Rama: Pas sulmit qëndron Beogradi
28.09.2023 16:53
Qëndrimi i Shqipërisë, që për herë të parë nuk mbështeti linjën e Bashkimit Evropian...

Qëndrimi i Shqipërisë, që për herë të parë nuk mbështeti linjën e Bashkimit Evropian, për deklaratën për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është pritur mirë nga Brukseli zyrtar.
“Pati pështjellim të kuptueshëm kur ia kemi përcjellë Brukselit. Ne jemi të keqardhur për këtë, por qëndrimi ynë nuk ndryshon.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Rama e përsëriti edhe njëherë prerazi se përgjegjës për sulmin në Banjskë është Beogradi zyrtar.
“Ky është një karshillëk sa ilegal nga ana e grupit kriminal, aq dhe institucional nga ana e shtetit serb ndaj vlerave dhe parimeve të BE-së. Karshillëku është shprehje e përgjegjësisë. Këtë meriton dhe pret ta dëgjojë i gjithë ky rajon që mjaft ka vuajtur.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Për të shmangur luftën në udhëkryqin e veriut të Kosovës, që sipas tij rrezikon më shumë se kurrë të kthehet në Dombas, atë që ka paralajmëruar prej kohësh, kryeministri Rama përsëriti fort këtë radhë se si duhet shtruar rruga e dialogut.
“Për mua Serbia është shteti që ka humbur luftën me Kosovën. Formati i sotëm i Brukselit ku hyjnë e dalin dy burra andej këtej s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në një konferencë të posaçme, kreu i Qeverisë tha se i druhet një skenari lufte në Veri të Kosovës.
“Bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshje, me vonesën mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konfilit të armatosur.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Për ta parandaluar këtë, Rama shtroi edhe një herë një propozim të hershëm të tijin, që tashmë sipas tij po e kërkon edhe Kosova, ndërsa Serbia s’po e kundërshton.
“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Po të ishte bërë më parë, s’do të kishte ndodhur kjo që ndodhi.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
LULJETA NDOKA
