Maqedoni
Është dyfishuar numri i emigrantëve ilegalë
10.03.2015 15:38
Të gjithë indikatorët tregojnë që migracioni i parregullt është fenomen që po rritet dhe intensifikohet në vazhdimësi...

Të gjithë indikatorët tregojnë që migracioni i parregullt është fenomen që po rritet dhe intensifikohet në vazhdimësi, ka deklaruar drejtori i Qendrës për Iniciativë Rajonale për Azil, Refugjatë dhe Migrim, Trpe Stojanovski.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2014 në fushën e migrimit ilegal janë zbuluar 92 vepra penale “kontrabandë me emigrantë”, që paraqet numër të dyfishuar krahasuar me atë në vitin 2013.
Në Qendrën e Pranimit të Emigrantëve në Shkup ishin të strehuar 838 emigrantë ilegalë, ndërsa janë evidentuar 1750 persona që ilegalisht kanë kaluar kufirin shtetëror, numri më i madh i të cilëve ka qene nga Shqipëria, Siria, Afganistani, Lindja e Afërt dhe e Mesme, Afrika e Veriut etj.
Stojanovski gjatë brifingut diplomatik në Qeverinë e Maqedonisë shtoi se prevenimi dhe sqarimi i secilit rast që do të detektohet është në kompetenca të institucioneve nacionale të cilat përmes projekteve konkrete duhet të luftojnë këtë fenomen.
“Kur bëhet fjalë për migracionin e parregullt, në princip bëhet fjalë për emigrantë të cilët për shkaqe sigurie duan të shpëtojnë kokën. Megjithatë, duke pasur parasysh se në çfarë ndikime drejtohen dhe ajo çka ndodhë, këto kanale shfrytëzohen edhe nga struktura të cilat mund t’i keqpërdorin në kuptimin e ndonjë radikalizmi, aktiviteteve të mundshme terroriste, apo dhe diçka tjetër”- deklaroi drejtori i Qendrës për Iniciativë Rajonale për Azil, Refugjatë dhe Migrim, Trpe Stojanovski.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, me këtë rast tha se qendra në fjalë i është e nevojshme rajonit, sepse atë që e ofron kjo qendër nuk e kanë një numër i madh i organizatave të etabluara ndërkombëtare.
“Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë i mbështet aktivitetet që shtetet anëtare me përpjekje të përbashkëta i realizojnë në kuadër të Qendrës për Iniciativë Rajonale për Azil, Refugjatë dhe Migrim”- tha ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
FLORIJE KAMBERI
