Botë

Kosova dhe Shqipëria, me treg të përbashkët të energjisë

10.03.2015 15:47

Kosova dhe Shqipëria, konkretizojnë bashkëpunimin në fushën e energjisë elektrike me themelimin e tregut të përbashkët si një zonë e vetme tregtare...

Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci, dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, thanë sot se studimet që i kanë paraprirë këtij tregu të përbashkët të energjisë kanë dëshmuar se themelimi i tij përpos që është teknikisht i mundshëm, është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja shtetet.

“Kur Unioni Evropian mendon t’i avancojë bashkëpunimet e shteteve mes vete për të krijuar edhe një union të energjisë, është i interesuar që edhe ky rrjet energjetik t’i ketë bazat e veta në rajon, të cilat pastaj do të integrohen në të ashtuquajturin rrjetin transnacional të Evropës për energjinë, ashtu siç është edhe për transportin”- deklaroi ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci.
 
“Duke u nisur nga disa hapa konkret, ashtu siç kanë filluar edhe vendet skandinave, vendet e rajonit do të kenë një interes të madh, pasi janë tregje të vogla dhe do të ishte në interesin e gjithë kësaj hapësire të Evropës Juglindore të krijohet një treg vërtet i përbashkët, që do të ishte më likuid nga ana financiare dhe do të sillte investime, sepse energjia është edhe një model ekonomik, e cila mund të shërbejë shumë lehtë edhe për investime të huaja, që është aq e nevojshme për të gjitha vendet tona për punësim dhe zhvillim ekonomik”- tha ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknur.
 
Sistemet e energjisë në Kosovë dhe Shqipëri janë komplementare, sepse Kosova ka kapacitete termike, kurse Shqipëria kapacitete hidrike, theksuan ministrat.
 
Qeveritë e të dyja vendeve kanë themeluar edhe Komitetin Drejtues të përbashkët të udhëhequr nga ministritë përkatëse dhe të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.
 
Kosova dhe Shqipëria po ashtu shqyrtojnë mundësinë që edhe me vendet e tjera fqinje, si Maqedonia dhe Mali i Zi, të arrijnë marrëveshje për treg të përbashkët energjetik.
 
GYLTENE SINANI