Maqedoni
Musliu: Nuk ka institucione që refuzojnë dygjuhësinë
29.09.2023 14:11
Nuk ka institucione shtetërore që refuzojnë zbatimin e ligjit për gjuhët...

Nuk ka institucione shtetërore që refuzojnë zbatimin e ligjit për gjuhët, por ka institucione që janë më shumë apo më pak të angazhuar në zbatim. Kështu thotë drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ardian Musliu, duke shtuar se për implementim sa më efikas të ligjit për gjuhët, çdo institucion duhet të ketë të paktën një përkthyes.
“Institucione që refuzojnë zbatimin e ligjit nuk ka, por ka institucione që bëjnë më shumë përpjekje për të zbatuar ligjin e gjuhës, ka institucione që më pak japin ato mundësitë e tyre që të realizojnë. Ne si agjenci jemi këtu për t’u dhënë ndihmë institucioneve dhe këtë mendoj që e kryejmë me sukses. Një numër i madh i institucioneve në bazë ditore na drejtohen me lloj-lloj dokumentesh, u përkthejmë dokumentacione, u japim këshilla e kështu me radhë. Çdo institucion duhet të ketë përkthyes. Duhet të cek se prej kur u soll ligji për përdorimin e gjuhëve në ato dispozitat ligjore kalimtare, për 1 vit të parashohin më së paku 1 përkthyes.”, - deklaroi drejtori i Agjencionit, Ardian Musliu.
Sela: Në shqip kemi dokumente, akte ligjore e formularë
Gjuha shqipe ka arritur në nivele të larta shtetërore nëpërmjet përkthimit ku deri tani janë përkthyer 100 mijë faqe nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.
“Nëpërmjet përkthimit, gjuha shqipe ka arritur në këto nivele ku gjendet tani. Atë e hasim në dokumente të ndryshme, në shkresa administrative, në akte ligjore juridike, në formularë të shumtë. Duke i sjellë të gjitha këto në gjuhën shqipe, mund të themi se përkthyesit kanë krijuar komoditetin më të madh për shqiptarët si një e drejtë elementare njerëzore demokratike.”, - theksoi ish-drejtori i Agjencisë së Gjuhëve, Ylber Sela.
Këto qëndrime u shpalosën me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkthyesve me moton “Agjencia deri tani ka përkthyer dhe lekturuar 100 mijë faqe”.
REJHANE METAJ
