Maqedoni
Ligji për shërbime mediatike audiovizuele, KShPK: Rrezikohet pavarësia e televizioneve
29.09.2023 14:30
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit reagon për ndryshimet e propozuara të Ligjit...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit reagon për ndryshimet e propozuara të Ligjit për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele. Vërejtjet e tyre janë se ndryshimet e këtij ligji sërish po bëhen me procedurë të shkurtër dhe me flamur evropian. Ndryshimet e parapara sipas Komisionit për antikorrupsion ndikojnë në pavarësinë e televizioneve private dhe përbën kërcënim për demokracinë në vend.
“Miratimi i ligjeve në procedurë të rregullt është bërë një fenomen i rrallë. Procedura e shkurtuar dhe flamuri evropian bëhet procedurë e rregullt, kështu e përjetojmë ne. Në rastin konkret, ndryshimet e propozuara ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë e medias private, sepse nëse fshihet ndalimi i reklamimit, bëhet i mundur financimi i medias me fonde nga buxheti, prandaj KShPK-ja njeh rrezik të lartë për favorizimin e televizionit kombëtar mbi të tjerët, si dhe rreziku i lartë i ryshfetit të medias në tërësi nëpërmjet ndikimit të politikës së tyre editoriale.”, - deklaroi anëtarja e KShPK-së, Sofka Pejovska Dojçinovska.
“Konkretisht me nenin 102 të Ligjit për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele synohet të anashkalohet, pra të kthehet financimi shtetëror për të cilin po reagojmë.”, - theksoi anëtarja e KShPK-së, Katica Nikollovska.
KShPK-ja u shpreh e kënaqur që më në fund po dëgjohet zëri i tyre, gjegjësisht po veprohet në bazë të mendimeve dhe indikacioneve të tyre drejtuar institucioneve.
“Nuk është më aq e errët, Këshilli Gjyqësor tashmë është duke vepruar me iniciativat tona dhe duke pasur parasysh se lënda "Transmet" ishte shumë e gjerë dhe komplekse sa i përket pamundësisë së shtetit për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, shihet se do të veprohet dhe shpresoj që e vërteta të dalë në shesh dhe të ketë disa rezultate nga kjo procedurë.”, - u shpreh anëtari i KShPK-së, Shemshi Sallai.
Si shembull nga Antikorrupsioni përmendën edhe rastin e Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, e cila pas ndërhyrjes së tyre miratoi një rregullore të re për trajtimin e pasurisë së konfiskuar.
FLORIJE KAMBERI
