Maqedoni
Rashella Mizrahi, kryetare e Komisionit Hetimor për Onkologjinë
29.09.2023 14:48
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashela Mizrahi, u emërua Kryesuese e Komisionit Hetimor...

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashela Mizrahi, u emërua Kryesuese e Komisionit Hetimor për rastin e Onkologjisë, të themeluar nga Komisioni për Zgjedhje dhe emërime pasi partitë politike kanë rënë dakord që kryesuesi t’i takojë opozitës. Detyrë e Komisionit Hetimor është të konstatojë nëse ka përgjegjësi politike të zyrtarëve të Qeverisë dhe Klinikës në skandalin e Klinikës së Onkologjisë dhe nëse janë kërcënuar të drejtat e njeriut dhe të pacientëve. VMRO-DPMNE-ja po ashtu ka propozuar Aleksandër Veljanovskin, i cili duhet të jetë nënkryetar, kurse për anëtarë të Komisionit i ka propozuar Antonio Milloshoskin, Gordana Siljanovska Davkova dhe Ivanka Vasilevska. LSDM-ja për anëtarë të Komisionit i ka propozuar Daniela Markovska, Nenad Kociq, Martin Kostovski dhe Marija Georgievska. Kandidatët e propozuar nga BDI-ja janë Arben Ziberi dhe Bedri Fazli, kurse Remzi Mehmedi është propozuar anëtar i komisionit nga Aleanca për Shqiptarët.
“Ky propozim i vendimit duhet të kalojë në seancë plenare në Kuvend, edhe atë besoj në seancën e parë të Kuvendit javën e ardhshme. Edhe pse kjo është vonesë diku rreth një muaj, besoj se nuk ka asgjë tendencioze dhe pres që formimi i Komisionit t’i realizojë qëllimet që ka, respektivisht të konstatojë nëse ka përgjegjësi politike të zyrtarëve të Qeverisë dhe Klinikës në skandalin e Klinikës së Onkologjisë, një veprim kryekëput antiligjor i kësaj klinike apo skandali profitabil me medikamentet.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
“Deri më tani asnjë Komision Anketues nuk ka pasur një përfundim, por rasti i Onkologjisë është një mundësi që të gjithë ne duhet të tregojmë unitet dhe këtë përgjegjësi politike në Klinikën e Onkologjisë ta konstatojmë të gjithë ne këtu së bashku. Pra, edhe njëherë dua të konfirmoj se shumica parlamentare, pa asnjë kalkulim, e pranon idenë për formimin e këtij Komisioni Anketues.”, - theksoi deputeti i shumicës parlamentare, Goran Misovski.
Përgjegjësi për rastin e Onkologjisë kanë kërkuar edhe shumë iniciativa qytetare të cilat për ditë me radhë po protestojnë si para Qeverisë, ashtu edhe para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organeve Gjyqësore, me të vetmin qëllim që dikush duhet të bartë përgjegjësi për këtë krim dhe autorët e këtij krimi të marrin dënimin e merituar.
FITIM KRYEZIU
