Botë

Avokati Petronijeviq konfirmon: Radojçiq ishte në Banjskë më 24 shtator

29.09.2023 15:07

Millan Radojçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator...

Millan Radojçiq e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite. Ai një konfirmim të tillë e ka bërë nëpërmjet një letre të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, në të cilën thotë se ka ardhur të inkurajojë serbët lokal për rezistencë.
 
“E njoftoj tërë opinionin se së bashku me bashkëvendësit e mi nga veriu i Kosovës, në ditën e 24 shtatorit të vitit 2023 kam ardhur në Kosovë në rajonin e fshatit Banjskë. Arsyeja e kthimit tonë ka qenë të inkurajojmë popullin serb nga ai rajon për të rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, mbrojtjen e popullit tonë që përballet me atë terror për çdo ditë dhe krijimin e kushteve për çlirimin e popullit tim nga Kosova. I njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër dhe nuk ka të bëjë fare me angazhimin tim politik të mëparshëm.”, - deklaroi avokati i Radojçiqit, Goran Petronijeviq.
 
Avokati, duke e lexuar letrën e Radojçiqit, tha se për veprimet e tij ai nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës dhe as nuk e ka pranuar ndihmën e tyre. Avokati refuzoi t’u tregojë gazetarëve se ku ndodhet Radoçiqi, por tha se ai shprehet i gatshëm të përgjigjet për këto veprime në organet serbe të drejtësisë. Po ashtu presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll, ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
 
Radojçiqi është në listën e zezë amerikane, ndërsa autoritetet kosovare kanë kërkuar ekstradimin e tij, pas involvimit në sulmin terrorist ndaj policisë më 24 shtator. Policia e Kosovës ka kryer bastisje në pesë lokacione në tri komunat veriore. Në orët e para të mëngjesit të së premtes, Policia ka bastisur një vilë në zonën e liqenit të Ujmanit, e cila dyshohet se është në pronësi të nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojçiq, i dyshuar si udhëheqës i grupit që kreu sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.
 
“Policia ka konfirmuar se ka konfiskuar një barkë dhe një motor me katër rrota.”.  Prokurori special, Naim Abazi, ka bërë të ditur se aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë evidentuar si prona të Milan Radoiçiqit. Përveç shtëpisë së Radojçiqit, Policia ka bastisur edhe Spitalin e Mitrovicës. Këto urdhër-kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë njoftuar nga Policia e Kosovës.
 
GYLTENE SINANI