Maqedoni
Amnisti për të dënuarit e “Monstrës”, Mickoski kritikon qasjen e Kovaçevskit
29.09.2023 15:26
Amnistia e të burgosurve ka hapur dilemat për faljen eventuale të të dënuarve të rastit “Monstra”...

Amnistia e të burgosurve ka hapur dilemat për faljen eventuale të të dënuarve të rastit “Monstra”, pasi një ditë më parë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi mundësinë e dorëzimit të amendamenteve për një falje të mundshme. Edhe pse ende nuk dihet nëse 5 të dënuarit mund të gjenden në listën përfundimtare të të amnistuarve, kreu i VMRO – DPMNE–së, Hristian Mickoski, ka kritikuar qëndrimin e tillë të Kovaçevskit, duke thënë se kryeministri nuk ka dinjitet të drejtojë ekzekutivin, pasi sipas të gjitha gjasave nuk i lexon propozim-ligjet që kalojnë në Qeveri.
“Shpresoj që kryeministri Kovaçevski, të mos jetë turist i Qeverisë dhe kur vijnë propozim-tekstet e ligjeve merr informacion të detajuar se çfarë përmbajnë ato propozime, posaçërisht ligje të tilla specifike, edhe vetë i lexon. Nëse nuk e bën këtë, atëherë do të duhet sa më shpejtë të ikë nga detyra. Ligji akoma pa mbërritur në Kuvend, flasim për amendamente të cilat vijnë nga vetë Qeveria. Çfarë kanë bërë të gjithë ata në atë seancë qeveritare, kur është shqyrtuar ky ligj?”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Propozim-ligji për amnisti parashikon që të falë personat që kanë kryer vepra të lehta penale me burgim deri në gjashtë muaj, si dhe të falë 30% të dënimit të të dënuarve me mbi gjashtë muaj burgim. Tre nga pesë të dënuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, të cilët janë në arrati në Kosovë bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”. Ndërkaq Fejzi Aziri u dënua me 15 vite burg për ndihmë, Haki Aziri me 9 vite burg, për dhënie të ndihmës. Akuza për dhënie ndihmë në vepër nuk gjendet në mesin e veprave, të cilat përjashtohen nga amnistia, duke shtuar shpresat që Fejzi dhe Haki Aziri të mund të gjenden në liri, në rast të votimit të faljes në Kuvend.
MERAL ISMAILI
