Ekonomi
Bezhovska: Inflacioni, një nga sfidat kryesore të ekonomisë
29.09.2023 15:44
Edhe pse inflacioni po zvogëlohet nga fundi i vitit 2022, në shumë vende ende mbetet mbi nivelet e bankave qendrore....

Edhe pse inflacioni po zvogëlohet nga fundi i vitit 2022, në shumë vende ende mbetet mbi nivelet e bankave qendrore. Vendi për të mbajtur nivel stabil të inflacionit ka nevojë për përshtatje të politikave me ato të BE-së, si dhe për të përballuar inflacionin, duhet ruajtur pozicioni i qëndrueshëm monetar, me mbështetjen e politikës fiskale, thotë guvernerja, Bezhovska.
“Një nga sfidat kryesore mbetet inflacioni, i cili ndonëse i ngadalësuar, ende mbetet mbi nivelin e synuar, i cili pritet në 90% të ekonomive edhe vitin e ardhshëm. Prandaj, zbatimi i një politike monetare të kujdesshme, me qëllim uljen e presioneve inflatore, është prioritet i bankave qendrore.”, - deklaroi guvernerja e Bankës Popullore, Anita Bezhovska.
Pendarovski: Ti kushtohet vëmendje ikjes së fuqisë punëtore
Presidenti i shtetit, Pendarovski, potencoi se Banka Popullore me politikat e saja ka kontribuar në ruajtjen e stabilitet makroekonomik, por shtoi se duhet të kushtohet rëndësi e veçantë ikjes së fuqisë punëtore, sidomos të të rinjve dhe kuadrit të kualifikuar.
“Janë të domosdoshme reforma në segmentet vitale që janë kyçe për zhvillimin ekonomik, si investimet, produktiviteti në punë, përshtatja e arsimit me kërkesat e tregut dhe krijimi i vendeve kualitative të punës. Besoj se këtë mund ta arrijmë më së miri përmes përforcimit të reformave dhe integrimit të përshpejtuar në Bashkimin Evropian.”, - theksoi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.
Kamer: Lirimi i politikave monetare mund të sjellë pasoja
Drejtori i Departamentit të FMN-së për Evropë theksoi se nuk duhet politikat monetare të lirohen shumë shpejt, sepse kjo mund të sjellë pasoja të mëdha dhe se politika fiskale duhet të mbështesë politikën monetare.
“Nëse duhet t'ju përcjellë një porosi të rëndësishme deri tek ju, ajo është se politikat kanë rëndësi. Me zgjedhjen e duhur të politikave të ndryshme, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mund të sigurojnë inflacion të ulët dhe një trajektore të rritjes afatgjatë të rritjes.”, - u shpreh drejtori i Departamentit të FMN-së për Evropë, Alfred Kamer.
Këto komente u dhanë gjatë fillimit të Konferencës së 9-të për hulumtime ndërkombëtare të organizuar nga Banka Popullore.
GAZMEND KURTISHI
