Maqedoni

Kuvend, debat rreth rialokimit të mjeteve buxhetore

29.09.2023 16:08

Në seancë plenare të Kuvendit, të zgjedhurit e popullit shqyrtojnë propozim-vendimin për rialokimin e mjeteve të buxhetit për vitin 2023....

Në seancë plenare të Kuvendit, të zgjedhurit e popullit shqyrtojnë propozim-vendimin për rialokimin e mjeteve të buxhetit për vitin 2023. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, tha se qëllimi kryesor është shpërndarja e kërkesave që dalin nga sindikatat, që ishte paraparë rritje prej 10 për qind e pagave të të punësuarve në sektorin publik, përfshirë edhe pagesën për muajin shtator dhe për K-15, që është pjesë e Marrëveshjes Kolektive, si dhe mjete për rritje të dytë prej 6 për qind për pensionistët. 
 
“Ne garantojmë se gjatë këtij viti do të kemi likuiditet të plotë të realizimit të të gjitha obligimeve, sa i përket pagave dhe pensioneve me rritjen e cila ishte paraparë, për sëmundjet specifike mjetet e parapara, subvencione më tepër për investitorë, studentë, nxënës dhe për kategoritë sociale dhe mjete për t’u përgjigjur sfidave të krizës energjetike dhe asaj të çmimeve.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
VMRO-DPMNE-ja e cilëson vendimin për rialokim të buxhetit si ribalans hibrid, pasi që sipas tyre dëshmon paaftësinë e pushtetit që të menaxhojë mirë buxhetin e shtetit dhe paralajmëruan se një vendim të tillë  deputetët e kësaj partie nuk do të përkrahin.  
 
“Ribalansi i këtillë hibrid vlerësoj se nuk meriton të përkrahet dhe është vetëm edhe një dëshmi se Qeveria në aspektin arsimor ka zero vëmendje. Ndërsa karabinat e Fakultetit të Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike dhe Fakultetit të Kulturës Fizike në kryeqytet janë dëshmia më e madhe se nuk mund të arrini të përfundoni as atë që dikush para juve ka filluar të ndërtojë.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Deputetët e LSDM-së thonë se vazhdon retorika e deputetëve të opozitës maqedonase. Ata  flasin zëshëm se duan jetë më të mirë për qytetarët, ndërsa nga ana tjetër në Kuvend, vota e tyre gjithmonë është kundër.
 
“Ju flisni se jeni për rroga më të larta, pensione më të larta, për investime më të mëdha. Ndërsa ju do të votoni kundër këtij vendimi dhe me këtë ju votoni kundër rritjes së rrogave prej 10% të të gjithë të punësuarve në sektorin publik, kundër K-15, do të jeni kundër rritjes së pensioneve. Do të jeni kundër atyre që presin “Trikaftën” dhe janë 55 pacientë.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Lazarevska.
 
Partitë në pushtet u munduan të bindin VMRO-DPMNE-në se nuk bëhet fjalë për ribalanc, sepse rialokimi është për 300 milionë eurosh që duhen zhvendosur nga njëri vend në tjetrin.


SANIJE DURAKU