Maqedoni

Lëshohet në përdorim “FEC Novaci”, impianti fotovoltaik privat më i madh në Ballkan

29.09.2023 16:33

U lëshua në përdorim impianti më i madh privat fotovoltaik në Ballkan "FEC Novaci"...

U lëshua në përdorim impianti më i madh privat fotovoltaik në Ballkan "FEC Novaci" me kapacitet prej 55 megavat dhe prodhim vjetor të parashikuar prej 85,000 megavat orë energji elektrike. Investimi është në vlerë prej 40 milionë euro nga kompania “May Energy” dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 57 hektarë në komunën e Novacit. Pronari i “May Energy”, Demirovski, tha se ky kapacitet është ndërtuar dhe projektuar nga kompani vendore.
 
“Përmes realizimit të këtij projekti, investim prej 40 milionë eurove, krijojmë siguri edhe për investime tjera vendore dhe të huaja, që ta njohin mundësinë për investim në sektorin e energjetikës, që kontribuon për rritje dhe zhvillim ekonomik. Me krenari them se “FEC Novaci” është projektuar dhe ndërtuar nga kompani vendore.”, - theksoi pronari i “May Energy”, Shefket Demirovski. 
 
Impianti pritet të plotësojë nevojat vjetore për energji elektrike të 30 mijë familjeve. Sipas kryeministrit Kovaçevski, kjo do të kontribuojë në rritjen e stabilitetit të vendit sa i përket energjisë elektrike. 
 
“Jam i bindur se ky impiant fotovoltaik do të japë 20 deri në 25 për qind më shumë se kapaciteti i planifikuar prej 85 mijë megavat orë, sepse izolimi diellor në vendin tonë është më i miri në krahasim me të gjitha vendet e botës. Stabiliteti në sigurimin e energjisë elektrike, përmes të gjitha burimeve në dispozicion, është prioriteti ynë kryesor.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, bëri të ditur se Komisioni Rregullator për Energjetikë ka lëshuar licencat për termocentrale shtesë diellore, në mënyrë që deri në fund të vitit vendi ynë të ketë një kapacitet të instaluar prej 550 megavat-orëshe, që do të mbulojë nevojat për energji elektrike për 270 mijë familje në vend.
 
“Rreth 700 mijë familje janë të lidhura në rrjetin e shpërndarjes dhe shihet se brenda dy viteve, nevojat e pothuajse më shumë se 30 për qind të tyre mbulohen vetëm nga energjia diellore. Nuk do të ndalemi këtu. Zbatimi i rregullores për futjen e baterive, të cilat do t'i mundësojnë vendit të jetë lider në rajon në furnizimin me energji elektrike nga burimet e rinovueshme, është drejt fundit.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Ndërtimi i këtij centrali është nxitur nga masat e ndërmarra nga Qeveria në vitet e fundit, duke krijuar kushte për kalimin në tranzicion energjetik, u shpreh ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
 
“Energjia po shtrenjtohet, duke u bërë barrë për ekonominë dhe familjet. Këto investime dhe të tjera të ngjashme janë input i drejtpërdrejtë në rritjen e konkurrencës së kompanive vendase dhe për qytetarët do të thotë kursim i buxhetit të brendshëm.”, - theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
 
Punimet për ndërtimin e impiantit fotovoltaik nisën vitin e kaluar në nëntor. Ai përbëhet nga 101,062 panele fotovoltaike. Periudha e funksionimit të tij është 25 vite.
 
ERSAN PAJAZITI