Botë
Stoltenberg: Ukraina më afër NATO-s se kurrë
29.09.2023 16:57
Ukraina është më afër aleancës se kurrë më parë, ndërsa Rusisë i kanë mbetur vetëm Irani dhe Koreja e Veriut...

Ukraina është më afër aleancës se kurrë më parë, ndërsa Rusisë i kanë mbetur vetëm Irani dhe Koreja e Veriut, ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një vizitë në Kiev ku është pritur nga presidenti, Zelensky. Njëherit është nënshkruar marrëveshje prej 2,4 miliard euro për furnizim me municion për Ukrainën, e cila siç u tha po avancon në kundërofensivë.
“Kur isha për herë të fundit këtu në prill, ne diskutuam përgatitjet tona për samitin e NATO-s në Vilnius, si dhe përgatitjet tuaja për kundërofensivë.”, - deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Zelensky: Ukraina meriton anëtarësimin në NATO
Presidenti i Ukrainës, Zelensky, tha se po punojnë rreth kandidaturës për anëtarësim në NATO.
“Ukraina meriton të bëhet anëtare e NATO-s. Kjo nuk është vetëm ambicie e Ukrainës, kjo është perspektiva e vetme e sigurisë për Evropën, që garanton paqe të vërtetë afatgjate.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.
Putin: Wagner punon për Ministrinë Ruse të Mbrojtjes
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka takuar zëvendësministrin rus të Mbrojtjes, Yunus-Bek Yevkurov dhe ish-komandantin e grupit mercenarë Wagner, Andrey Troshev, me ç’rast u bë e ditur se Wagner tani punon për Ministrinë Ruse të Mbrojtjes.
“Përfshiheni në formimin e njësiteve vullnetare, të cilat kryejnë misione të ndryshme luftarake, para se gjithash në zonën e operacionit special ushtarak. Keni luftuar për më shumë se një vit në njësit të tillë, e dini se çfarë do të thotë kjo.”, - u shpreh presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Ndërkohë kanë vazhduar sulmet ruse në Ukrainë, me ç’rast raketat ruse kanë goditur objekte infrastrukturore në Mikollaev.
FLUTURA LATIFI
