Maqedoni

Kriza politike në Maqedoni, Mogherini në rolin e ndërmjetësueses

10.03.2015 16:41

Shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, supozohet të jetë protagonistja e cila mund të ndërmjetësojë krizën e thelluar politike në Maqedoni...

Propozimi për ndërhyrjen e Mogherinit si ndërmjetësuese vjen nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, Ivo Vajgël, i cili e ka vlerësuar këtë ndërhyrje si të domosdoshme dhe të fuqishme.

“Kompromiset kanë rol fundamental në funkcionimin e demokracisë. Bojkoti post-zgjedhor është problem i cili duhet të zgjidhet me përgjegjësi nga të dyja palët, qeveria dhe opozita”- shkruan në draft-versionin e rezolutës së propozuar nga Vajgël, në të cilën gjithashtu kërkohet që shefja e diplomacisë së BE-së të jetë ndërmjetësuese mes partive.

Parlamenti Evropian sonte vonë do të diskutojë në seancë plenare progresin e Maqedonisë, për të cilën do të votohet më 11 mars në Strasburg.

Këshilli Evropian duhet të vendos në lidhje me raportin për progresin e Maqedonisë dhe se a do të ketë fillim të negociatave për hyrje në BE.

Në rezolutë qartë thuhet se Këshilli i BE¬-së, për shkak të problemit të jashtëm me Greqinë rreth emrit, e ndalon vendin të përparojë në procesin e anëtarësimit. 

Deputetët konsiderojnë se problemi me emrin nuk duhet ta pengojë hapjen e negociatave, por të zgjidhet para fundit të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE.

Kjo mund të rëndojë në stabilitetin rajonal, por edhe ta zvogëlojë kredibilitetin e unionit dhe të përfundojë me mbetjen prapa të normave demokratike të vendit.

Ashtu edhe siç mund të pritej, në rezolutë kanë hyrë edhe ngjarjet e fundit me aferën “Puç”, përgjimet dhe kriza më e re e përgjithshme politike.

BESA JASHARI