Maqedoni
Rasti “Puç”, merret në pyetje Verushevski
10.03.2015 17:03
Ish-shefi i Shërbimit Sekret të Maqedonisë dhe njëherit i akuzuari i parë në rastin “Puç”, Zoran Verushevski, është dërguar te Prokuroria për Kriminalitet të Organizuar që të japë deklaratë...

Kjo është hera e dytë që Verushevski rrëfehet, pasi që paraprakisht u dërgua para prokurorit, ku edhe iu shtua paraburgimi.
Pas dy orëve hetim, avokati i Verushevskit, Angele Ilievski, nuk u prononcua para kamerave për atë se çka ka deklaruar klienti i tij, ndërsa as nga prokuroria nuk do të ketë të dhëna zyrtare për pyetjet të cilat i janë parashtruar të dyshuarit, pasi që hetimi në rastin “Puç” ende vazhdon.
Në aferën “Puç”, përveç Zoran Verushevskit, të dyshuar janë edhe Gjorgji Llazarevski, i punësuar në DBK, Branko Paliforov, i punësuar në Komunën e Strumicës, bashkëshortja e Verushevskit, Sonja dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërsa i dyshuari i pestë, Zvonko Kostovski, ka pranuar veprën për të cilën akuzohej dhe ka arritur marrëveshje me prokurorin që të bëjë tre vjet burg.
Në aferën “Puç”, pesë persona akuzohen për spiunazh dhe kërcënime të autoriteteve më të larta shtetërore.
SANIJE KASAMI
