Situata në Kosovë, Kurti: SHBA më shumë ndihmë kundër planeve të Serbisë

30.09.2023 16:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një bisede telefonike me këshilltarin për siguri kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Jake Sullivan kanë folur për për situatën në veri dhe për forcimin e  pranisë së KFOR-it në këtë pjesë. Kurti ka  falënderuar zyrtarin e lartë amerikan për mbështetjen e SHBA por në të njëjtën kohë ka kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë.

“Kam falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen dhënë Kosovës në sigurinë kufitare dhe kam kërkuar ndihmë më të madhe kundër planeve luftarake të Serbisë. E kam siguruar për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, ka shkruar Kurti.

Edhe në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, thuhet se Sullivan, ka shprehur shqetësim për për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

 “Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Borell porosi Serbisë: Tërhiqni ushtrinë nga Kufiri me Kosovën

Për situatën në Kosovë ka reaguar edhe  përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ai i bëri thirrje Serbisë ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

“Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell.

Sveçla: Të përfshirë mbi 80 terroristë

Më 24 shtator, grupet e armatosura në këtë fshat, në pjesën veriore të Kosovës, sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Sveçla për “Radio Evropën e Lirë”  thekson se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm, por, siç tha ai, me mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Edhe pse fillimisht mendohej se janë të përfshir 30 deri më 40 terorist, hetimet e deritanishme kanë treguar se në sulmin në Banjskë kanë marrë pjesë “mbi 80 terroristë”.

Sveçla flet edhe për dyshimin e përfshirjes së Rusisë, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë ta kërcënojnë Kosovën. (Sanije Duraku, TVM2)