Ekonomi

Rritja e çmimit të karburanteve nuk ka ndikuar në rritjen e çmimit të produkteve

10.03.2015 17:18

10 denarë, 25, 30 e 40 denarë janë këto disa nga çmimet në tregun e “Bit Pazarit”, të cilat nuk janë rritur edhe përkundër trendit në rritje të çmimeve të derivateve të naftës tanimë një muaj...

Çmimet nuk pritet të rriten as ditëve në vijim. Shitësit, edhe pse shkojnë në humbje, thonë se blerësit edhe këtyre çmimeve nuk mund t’u bëjnë ballë.
 
Me karburantet e shtrenjtuara llogari nuk kanë as bujqit nga Tetova dhe Gostivari për të sjellë mallin deri në treg. Me përfitimet që kanë, ata nuk mund të mbulojnë as harxhimet e transportit.            
                                                                 
“Unë jam bujk, e sjell këtu mallin dhe me paratë nuk mund ta paguaj patarinën dhe naftën”- tha një shitës.
 
“Më lirë ku të shkojmë, por s’ka populli pare edhe falë t’ua japim, 10 denarë, nuk i marrin”- theksoi një shitës.
 
“Çka ke me e rrit çmimin kur nuk merr askush, nuk blen askush. Njerëzit vetëm se enden andej-këndej. S’ka asnjë gjë, vetëm se mundin tepër që e bëjmë”- u shpreh një shitës.  
   
Enti për Statistikë bën të ditur se gjatë muajit shkurt janë ulur çmimet e produkteve për 2.8%. Megjithatë, qytetarët thonë se standardi i ulët i jetesës nuk u lejon që të bëjnë lirisht pazar.
 
“Me 6 mijë denarë pensionin çka të bëjmë, asgjë”- deklaroi një qytetar.
 
“S’ka ku shkon më lartë më. Me 7 mijë denarë pension as nuk shkon kjo punë, a përputhet?!”- u shpreh një qytetar.
 
“As shtrenjtë, as lirë, pa pare vetëm po shikojmë, s’ka asgjë”- tha një qytetar.            
 
Analizuar në nivel rajonal, shtetet tjera përreth Maqedonisë ofrojnë çmime më të larta. Shembull është Kosova.      
                                                              
“Pak më shtrenjtë se këtu, në përgjithësi pak më shtrenjtë janë. Mos të bisedojmë për standard, është katastrofë”- tha një qytetar nga Kosova.      
                                                
Një ditë më parë, Komisioni Rregullator i Energjetikës rriti çmimet e benzinës për 2.5 denarë, ndërsa naftën për gjysmë denari për litër.
 
Sot çmimi i naftës në berzat botërore u ulë për 58 dollarë për barel. A do të ketë ndryshime në çmimet e karburanteve në vend, këtë do ta thotë Komisioni Rregullator i Energjetikës.
 
MERAL ISMAILI