Maqedoni
Amnistia e 250 të burgosurve, Ratkoceri: Një fillim i domosdoshëm drejt përmirësimit
01.10.2023 14:44
Burgje të mbi populluara, mungesë e kushteve esenciale materiale, kadrovike që do të riintegronte të burgosurit në shoqëri...

Burgje të mbi populluara, mungesë e kushteve esenciale materiale, kadrovike që do të riintegronte të burgosurit në shoqëri, janë disa segmente që ndërthurin imazhet e zymta dhe dëshpëruese të burgjeve, e të cilat shohin shpëtimin në amnistinë. Sa falja mund të jetë zgjidhje? Profesoresha e së drejtës penale Vedije Ratkoceri e cila nga afër ka vëzhguar gjëndjen e burgjeve thotë se falja është vetëm hap fillestar I domosdoshëm drejt ndryshimit afatgjat për të siguruar një proces të mirëfillt risocializimi për të burgosurit.
“Qëllimi i dënimit me burgim për kryerësit e veprave penale nuk është vetëm hakmarrja ndaj tyre për veprën e kryer penale por mbi të gjitha synojmë që këta persona gjatë kohës sa qëndrojnë në entet korrektuese, prandaj quhen edhe ente korrektuese t’i nënshtrohen një procesi përmes së cilit do të risocializoheshin dhe në shoqëri do të ktheheshin si të përmirësuar, pra që të shmangim përsëritjen e veprave penale. Kjo gjë nuk mund të arrihet në burgjet tona. Andaj amnistia konsideroj se është një ndër format gjerësisht të përdorura, shpesh herë për të arritur këto qëllime që të ulet numri i të burgosurve, që në burgjet tona është përtej kapaciteteve të tyre dhe të fillohet pastaj reforma ndoshta edhe në këto ente.”, tha Vedije Ratkoceri, profesoreshë e së drejtës penale në UEJL
Ratkoceri: Reformat në burgje të domosdoshme
Reformat sipas Ratkocerit do të duhej të përfshijnë organizimin më të mirë, sigurimin e kushteve elementare shtratit dhe ushqimit dhe më pas trajtimit profesionist.
“Një i burgosur që nuk ka një shtrat solid në të cilin flen natën, nuk ka një ushqim minimal të paraparë edhe me rregullat standarde dhe minimale të OKB-së, por edhe me legjislacionin vendor, nuk ka persona, personel professional, kompetent, të mjaftueshëm që të trajtonte ai gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, nuk mund të presim që këta individë kur të dalin prej aty pas vuajtjes së dënimit të dalin si persona të përmirësuar, përkundrazi mundësia e të ashtuquajurit infektim kriminel që e përdorim ne është shum e lartë. Prandaj në këtë drejtim konsideroj se ky është një hap i parë por që nuk duhet të ndalet këtu, por pas kësaj menjëherë ndoshta të fillohet me përmirësimin e kushteve materiale, të mendohet në punësimin e kuadrove profesionale që të trajtonin të burgosurit, këtu e kam fjalën për edukatorët, psikologët dhe të gjith ata të cilët janë të përfshirë në procesin e tretmanit të të burgosurve dhe në këtë drejtim të fillojmë të mendojmë drejt përmirësimit të kësaj gjendje në vendin tonë.”, tha Ratkoceri.
Edhe pse propozimi ligjor parashikon që të mos amnistojë të burgosurit për vepra të rënda penale, megjithatë i lartë është numri i veprave që do të falen. Pas pëlqimit të dhënë nga qeveria, ligji pritet që të kalojë në kuvend për t’u përballur me qëndrime kundërshtuese nga pushteti dhe opozita.
MERALE ISMAILI
