Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Musliu: Kuvendi të angazhohen intenzivisht, s’kemi kohë
01.10.2023 15:08
Vetëm edhe dy muaj afat kohor kur vendi duhet t’a ketë mbaruar procesin e ndryshimeve kushtetuese...

Vetëm edhe dy muaj afat kohor kur vendi duhet t’a ketë mbaruar procesin e ndryshimeve kushtetuese, ndërkaq kuvendi në përpjekje për të siguruar numrat e domosdoshëm për miratimin e ndryshimit të aktit më të lartë juridik. Pezullimi i votimit të ndryshimeve kushtetuese pa kornizë kohore nga ana e kryetarti të kuvendit Talat Xhaferi, nuk favorizon këtë proces, thotë analisti politik Albert Musliu. Inkurajon shtëpinë ligjvënëse dhe qeverinë që t’i shtojnë angazhimet në gjetjen e deputetëve për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, Musliu është optimist se koha ende na premton në këtë sfidë, duke potencuar se nëntori nuk është datë e prerë dhe nuk është humbje nëse ky kusht plotësohet deri në fund të vitit.
“Jemi dëshmitarë në periudhën e fundit se, sa mund ta kuptoj unë, qeveria shkon në opsione tjera, variante tjera, për ta siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve… Qeverisë i duhen 7 apo 8 deputetë që ta fillojë procedurën e ndryshimeve kushtetuese. Ky afat nuk është strikt, ashtu që cilëndo periudhë të këtij viti parlamenti mund t’i bëjë ndryshimet kushtetuese. Maqedonia nuk do ta humb hapin e mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare dhe fillimin e hapjes së kapitujve… Parlamenti gjithsesi se duhet të punojë. Nuk mund t’i vëndojë në pauzë edhe të lidhet për një çështje.”, tha analisti politik, Albert Musliu.
Edhë përkundër përpjekjes së akterëve të brendshëm dhe të jashtëm politik për të bindur opozitën maqedonase që t’i bashkohet rrugës që shpie në BE, VMRO-DPMNE-ja nuk lëviz nga pozicioni për të mos nënshkruar kushtet që i hapin rrugën prespektivës evropiane të vendit. Madje, thonë se në këtë qëndrim si parti janë më se të unifikuar dhe nuk do të bien siç thonë, nën diktatin bullgar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
