Botë
Sulm terrorist në Ankara, vriten dy terroristë, plagosen dy policë
01.10.2023 17:30
Një shpërthim dhe të shtëna në mëngjes prishën qetësinë në Ankara....

Një shpërthim dhe të shtëna në mëngjes prishën qetësinë në Ankara. Një kamikaz ka shpërthyer një eksploziv para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vetëm pak orë pas sulmit vetëvrasës, presidenti turk Erdogan mbërriti në Parlament. Ai e vlerësoi sulmin si akt terrorist.
“Si rezultat i ndërhyrjes në kohë të forcave tona të sigurisë mëngjesin e sotëm, aksioni në të cilin u neutralizuan dy vrasës është akti i fundit i terrorizmit. Ata synonin të prishnin qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, por dështuan në planet e tyre. Ata kurrë nuk do të kenë sukses.”, tha presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Terroristët kanë mbërritur me një automjet para hyrjes së ministrisë. Njëri prej tyre arriti të shpërthente eksplozivin, ndërsa tjetri u vra më vonë në një shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur edhe dy policë.
“Rreth orës 09:30 me orën lokale, dy terroristë të cilët kanë mbërritur me një automjet të vogël para hyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë kryer një sulm me bombë. Njëri nga terroristët hodhi veten në erë dhe terroristi tjetër u neutralizua. Gjatë të shtënave në ambiente të jashtme, dy nga policët tanë janë plagosur lehtë. I uroj heronjve tanë shërim të shpejtë.”, tha ministër i brendshëm i Turqisë, Ali Jerlikaja.
Me kërkesë të zyrës së kryeprokurorit të Ankarasë, një gjykatë turke dha një heshtje të përkohshme për raportimin e sulmit, në pritje të një hetimi zyrtar.
SEDAT SELIMI
