Botë

Biden: Do ta ndihmoj Ukrainën, pavarësisht marrëveshjes së fundit buxhetore

02.10.2023 09:03

Presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar se do të vazhdojë mbështetja amerikane për Ukrainën...

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të vazhdojë mbështetja amerikane për Ukrainën, ndonëse fondet ushtarake për të janë përjashtuar nga një marrëveshje e minutës së fundit, që e ka shmangur mbylljen e Qeverisë Amerikane. Ky vendim i përkohshëm, i miratuar për ta shmangur mbylljen, nuk përfshinë ndihmë ushtarake për Kievin në vlerë të gjashtë miliardë dollarëve, prioritet i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Biden ka thënë të dielën se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. 
 
“Ne nuk mundemi, në asnjë rrethanë, të lejojmë pengimin e ndihmës së ShBA-së në Ukrainë.”, ka thënë Biden. “Unë mund të rikonfirmoj për Ukrainën se do ta realizojmë këtë.”, ka thënë ai duke iu referuar fondeve.
 
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 46 miliardë dollarë si ndihmë ushtarakë për Ukrainën, prej nisjes së luftës së Rusisë në këtë shtet, në shkurt të vitit 2022. Presidenti Biden i ka kërkuar edhe 24 miliardë dollarë shtesë. Muajve të fundit, ShBA-ja ka nisur në Ukrainë edhe raketa me rreze të gjatë dhe tanke Abrams. Ndërkohë forcat e Kievit vazhdojnë të luftojnë në kundërofensivën, që sipas ekspertëve, është duke u zhvilluar me ritëm të ngadalshëm në jug të shtetit.