Maqedoni
Filloi viti i ri akademik, Zendeli: UT-ja ofron mundësi të shkëlqyera
02.10.2023 13:47
Universiteti i Tetovës hapi dyert për fillimin e vitit akademik 2023/2024....

Universiteti i Tetovës hapi dyert për fillimin e vitit akademik 2023/2024. Rektori, Jusuf Zendeli, tha se Universiteti i Tetovës, ofron kushte të mira studimi, si dhe mundësi për zhvillim profesional për të gjithë studentët.
“Universiteti i Tetovës dhe stafi ynë i përkushtuar janë këtu për t'ju udhëhequr dhe mbështetur në këtë udhëtim arsimor - shkencor. Ne do të përpiqemi vazhdimisht që të krijojmë për ju një mjedis më të mirë arsimor dhe t’ju ndihmojmë të arrini qëllimet tuaja akademike. Universiteti i Tetovës është një institucion serioz, i cili ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e studentëve. Nëpërmjet gamës së gjerë të programeve studimore, infrastrukturës dhe resurseve, ne do t’ju ofrojmë juve mundësi të shumta zhvillimi profesional.”, - deklaroi rektori i UT-së, Jusuf Zendeli.
Ndërkohë, pas shumë vitesh pritjeje, studentët e UT-së, do të kenë edhe konvikt studentor, që do të ketë 300 shtretër dhe pritet që shumë shpejtë të jetë në funksion.
“Ne bashkë me drejtuesit e universitetit, e konsoliduam institucionin më të ri në hapësirat e universitetit, konviktin studentor, duke i dhënë atij profilin infrastrukturorë dhe subjektivitetin juridik. Kapaciteti i tij do të jetë 300 shtretër.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Agim Nuhiu.
Ëndrra studimore u shua për Erion Zenunin, student i vitit të parë të mjekësisë në UT-së, i cili mbrëmjen e së dielës humbi jetën në një aksident në afërsi të pikës së pagesës në rrugën Gostivar-Tetovë.
VISAR SADIKU
