Botë
Kosovë, Gërvalla: Mos tolerohet Vuçiqi
02.10.2023 14:37
Nëse bashkësia ndërkombëtare e toleron presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq...

Nëse bashkësia ndërkombëtare e toleron presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të ketë luftë, paralajmëron ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo një deklaratë të tillë e bëri për televizionin publik gjerman, duke shtuar se Serbia dëshiron ta detyrojë Kosovën të negociojë për çështje territoriale në dialog.
“Presidenti serb ka treguar para tetë ditësh se cili është plani i tij dhe plani i tij është okupimi i një pjese të Kosovës. Kjo s’do të ndodhë. Kjo përpjekje ka dështuar dhe si shkak i kësaj një polic i yni është vrarë. Dhe grupi terrorist ka qenë i përgatitur për të kryer një sulm me 400 persona. Dhe, për fat të mirë kjo ka dështuar dhe ne nuk e dimë se cili është plani i tyre për të ardhmen.”.
Gërvalla njëherit thotë se BE-ja duhet të ngrijë statusin e Serbisë si vend kandidat.
Kurti: Serbia synonte aneksimin e veriut
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në patformën “X”, ka shkruar se Policia e ka konfirmuar që ky sulm ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme, që do të pasonte me krijimin e një korridori për në Serbi, për furnizim me armë dhe trupa.
“Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa.”.
Musliu: Serbia ngre bazë ushtarake në kufi
Për pretendime territoriale të Serbisë ndaj Kosovës foli edhe kryetarja e Komisionit Kuvendor për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, e cila njëherit tha se Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Janë vërejtur rritje të pranisë së ushtrisë në kufirin Kosovë-Serbi, nga pamjet e siguruara me dron të datës 27.09.2023 është arritur të konfirmohet informata se në zonën e njohur si Rogazin, në afërsi të Izvorit, është duke u ndërtuar një bazë ushtarake e forcave të armatosura me mbulesë nga ana e serbëve kinse në atë zone po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës.”, - deklaroi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu.
Vuçeviq: Nëse urdhëron Vuçiqi, futemi në Kosovë
Autoritetet kosovare po ashtu kanë publikuar video në të cilat shihen trajnime ushtarake të grupit të armatosur në bazat ushtarake në Serbi, përkatësisht në bazën ushtarake, Pasuljanske Livade dhe në bazën e Kopaonikut, të kryera katër ditë para sulmit terrorist në veri të Kosovës. Por, ministri serb i Mbrojtjes ka mohuar se Serbia me sulmin e 24 shtatorit ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës. Madje ai ka thënë se po të merrte urdhër nga presidenti serb, Vuçiq, ushtria serbe një gjë të tillë edhe do të mund ta bënte.
“Nëse ushtria e Serbisë merr urdhër të tillë nga presidenti i Republikës së Serbisë së komandant supreme që njësitet e saja të hyjnë në territorin e Kosovës si pjesë e Republikës së Serbisë, ushtria e Serbisë një detyrë të tillë do ta kryejë në mënyrë efikase, profesionalisht dhe me sukses, por edhe atëherë paraprakisht do ta njoftonim komandën e KFOR-it.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Ndërsa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, mohoi se Serbia ka trajnuar grupin terrorist.
GYLTENE SINANI
