Botë
Ukrainë, mblidhen shefat e diplomacisë të BE-së
02.10.2023 14:54
Kievi po pret takimin e shefave të diplomacisë evropiane....

Kievi po pret takimin e shefave të diplomacisë evropiane. Për Ukrainën, kjo është një ngjarje historike dhe një mesazh i miqësisë së hapur. Takimi vjen pasi Qeveria amerikane miratoi një projekt-ligj të përkohshëm financimi që e bëri të pasigurt ndihmën aktuale ushtarake për Ukrainën, u ndez alarmi i kuq në Evropë.
“ShBA-ja mori vendimin që mori. Ne po punojmë me të dyja palët e kongresit për t'u siguruar që kjo të mos ndodhë më në asnjë rrethanë. Nuk mendojmë se është cenuar mbështetja nga ShBA-ja, sepse SHBA-ja është e vetëdijshme që problemi është shumë më i madh se vetë Ukraina.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dimitri Kuleba.
Edhe BE-ja pret që Uashingtoni të rishqyrtojë vendimin.
“Kjo luftë ka pasoja të thella për të gjithë botën, por për ne evropianët është një kërcënim ekzistencial. Ndoshta pjesa tjetër e botës nuk e sheh kështu, por për ne është! Prandaj duhet të vazhdojmë mbështetjen dhe të bisedojmë me aleatët tanë amerikanë që të rishqyrtojnë vendimin.”, - theksoi përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrel.
Presidenti amerikan Biden megjithatë tha se mbështetja amerikane për Ukrainën nuk do të ndalojë. Pa hyrë në detaje, Biden tha se ai arriti një marrëveshje për Ukrainën me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin MekKarti.
“Ata thanë se do të mbështesin vendin në një votim të veçantë. Në asnjë rrethanë nuk mund të lejojmë që mbështetja amerikane për Kievin të përfundojë.”, - u shpreh presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Për Francën, takimi në Kiev me 27 ministrat e jashtëm evropianë është një gjest i jashtëzakonshëm diplomatik. Gjermania thekson se vendi i Ukrainës është në BE.
"E ardhmja e Ukrainës qëndron në Bashkimin Evropian, në komunitetin tonë të lirisë dhe së shpejti do të shtrihet nga Lisbona në Luhansk, në çdo fshat, në çdo metër të çliruar nga Ukraina.", - theksoi ministrja e Jashtme gjermane, Analena Baerbok.
Për Spanjën, formula e paqes së presidentit Zelensky është baza më e mirë për paqen. Ndërkohë, ministri i Jashtëm holandez, Slott, e quajti Rusinë përgjegjëse për krimet e luftës dhe agresionin ushtarak. Ai kërkoi sanksione shtesë kundër Moskës.
BELINDA KOKA ADEMI
