Maqedoni
Në Klinikën e Onkologjisë pacientët ankohen për mungesë të terapisë
02.10.2023 15:13
Vazhdon kaosi në Onkologji për terapitë për pacientët me sëmundje të kancerit....

Vazhdon kaosi në Onkologji për terapitë për pacientët me sëmundje të kancerit. Bashkëshortja e Fuad Elezit mëngjesin e sotëm nuk e ka marrë terapinë në Onkologji, pasi nga Gostivari i kanë thënë që të mos vijnë derisa të marrin vesh se ilaçet janë në dispozicion. Ajo thotë se nëse nuk e merr Avastin rregullisht, i rrezikohet jeta. Prej pesë muajsh, ilaçi nuk është në dispozicion, metastazat janë përhapur në mushkëri, ankohen pacientët.
“Nuk e ka marrë ilaçin në tërësi, kjo terapi zgjat 90 minuta, gruaja ime e ka marrë terapinë vetëm 45 minuta, nuk mundet kështu. Unë për një vit 6 muaj kam marrë pushim. Dy vitet e fundit çdo tre javë këtu, ndonjëherë ka terapi, ndonjëherë nuk ka.”, - theksoi bashkëshorti i pacientes, Fuad Elezi.
Edhe një paciente tjetër është përballur me mungesë të terapisë adekuate për kancer, i thanë se kishte terapi Fezgo. Ajo priti disa orë për radhën e saj. Por, në vend të terapisë, ajo mori një përgjigje se ilaçi kishte mbaruar. Kështu ishte edhe të premten dhe ditët më parë. Dhe na është premtuar se do të ketë terapi.
“Unë reagova me zë në korridor dhe u ktheva që a ka sigurt terapi Fezgo, më thanë se ka një, por nuk e dimë a ia kanë dhënë dikujt, këtu është dyshimi se ajo terapi është ruajtur për dikë që ka ardhur special ta marrë atë terapi. Nëse nuk ka për të gjithë, s’duhet të ketë për asnjë, nuk duhet dalluar pacientët.”, - u shpreh pacientja me kancer, Elizabeta Ristovska.
Pacientja Elizabeta thotë se mungesa e terapisë ka kontribuar që kanceri i gjirit të metastazojë në mushkëri. Një vit më parë, ajo duhej të merrte Herceptin, por ilaçi nuk ishte në dispozicion. Terapia e saj është shtyrë 7 herë. Ilaçi duhej të bllokonte qelizat e kancerit, pa përhapur sëmundjen. Ajo pyeti se sa kushton blerja private, por një dozë kushtonte rreth 2,800 euro. Këtë terapi jo të gjithë mund ta blejnë privat, pasi nuk bëhet fjalë për një apo dy doza, por për 10 doza të tilla.
VLORA LATIFI TOPOJANI
