Maqedoni

Programi IPARD 3, ndahen 97 milion euro për zhvillim të bujqësisë

02.10.2023 15:30

97 milion euro fonde evropiane të pakthyeshme do të ndahen për modernizimin dhe zhvillimin e bujqësisë...

97 milion euro fonde evropiane të pakthyeshme do të ndahen për modernizimin dhe zhvillimin e bujqësisë të Maqedonisë së Veriut përmes programit IPARD 3. Sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, marrëveshja financiare është thelbësore për bujqësinë tonë dhe është vazhdimësi e historisë së suksesshme IPARD në këtë vend.
 
“Nëpërmjet forcimit të sektorit bujqësor, ne po afrohemi me standardet e vendosura nga politika e përbashkët bujqësore e BE-së, e cila është një nga më të rëndësishmet dhe më të investuara në të dhe synimi kryesor i së cilës është të mbështesë qëndrueshmërinë ekonomike të zonave rurale.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
 
Mjetet për IPARD do të shpërndahen nëpërmjet një softueri të përshtatshëm për paraqitjen elektronike të kërkesave. Ambasadori evropian në vend, David Geer, apeloi që fondet evropiane të përdoren në mënyrë transparente, pasi kjo do të kërkohet në negociatat me BE-në, në të ardhmen.
 
“Të ketë shpenzim efikas dhe transparent të parave publike, e dini se kjo është shumë e rëndësishme edhe për procesin e negociatave për integrim drejt BE-së. Gjithsesi se ka sfida, janë të nevojshme aktivitete kolektive që të shkurtohen vonesat gjatë pagesave të përfituesve të mjeteve dhe të mos kemi keqpërdorime të këtyre mjeteve, kurse e nevojshme është që  të përforcohet edhe administrata shtetërore.”, - theksoi shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, David Geer.
 
Për ministrin Fatmir Besimi, pakoja e re e paguar me paratë e qytetarëve evropianë, është sinjali më i fortë i solidaritetit të BE-së me vendin tonë si anëtar i ardhshëm i Unionit.
 
“Se Evropa asnjëherë nuk hoqi dorë nga ne dhe as ne nga Evropa, flet vet kjo marrëveshje e nënshkruar këtu në vlerë prej 97 milion euro për programin IPARD 3. Programi për IPARD 2 ishte 60 milion euro, sot nënshkruajmë marrëveshje prej 97 milion eurove për IPARD 3. Pra, kjo paraqet një rritje të konsiderueshme të mjeteve.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
Sipas ministrit të Bujqësisë, Nikollovski, menaxhimi i mirë me paratë e programeve IPARD ka bërë që Maqedonia e Veriut të marrë më shumë mjete këtë vit. 
 
“2,100 investime janë paguar dhe kontrolluar plotësisht nga BE-ja dhe nuk ka fshat në Maqedoni që të mos ketë bordin e BE-së për fondet e përdorura nga ndihma IPARD. Kjo është arsyeja pse ne kemi një buxhet të rritur për 62 për qind.”, - u shpreh ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
 
Ndryshe, tridhjetë milionët e para nga IPARD 3 janë tashmë në dispozicion për investime në thirrjen e parë publike nga programi IPARD 3 për masat 1 dhe 7.
 
ERSAN PAJAZITI