Maqedoni

Integrimi, Lundgren: Bashkëpunoni, BE-ja pro zgjerimit

02.10.2023 16:10

Maqedonia e Veriut ta shfrytëzojë shansin dhe disponimin e mirë për zgjerim të Bashkimit Evropian...

Maqedonia e Veriut ta shfrytëzojë shansin dhe disponimin e mirë për zgjerim të Bashkimit Evropian, ndërkohë të luftojë korrupsionin dhe të respektojë sundimin e ligjit, si kusht themelor të vlerave evropiane, u porosit  në Kuvend nga delegacioni i deputetëve suedez, drejtues për zhvillim demokratik. Ndryshimet kushtetuese për ata janë çështje e brendshme politike e shtëpisë ligjvënëse, por u bëjnë thirrje deputetëve për bashkëpunim, siç bëjnë ata për interesat shtetërore në Kuvendin suedez.
 
“Ne e respektojmë Parlamentin dhe mënyrën e punës së Parlamentit. Ne nuk përzihemi në diskutimet tuaja politike. Jemi këtu të bisedojmë mes veti  për bashkëpunimin për çështjet e bazuara në merita. Sundimi i ligjit është shumë me rëndësi. Tash në BE ka disponim për zgjerim. Shpresojmë se zgjerimi do të vijë me herët e jo më vonë dhe shpresojmë se edhe RMV-ja do të bëhet pjesë e BE-së në bazë të meritave. Asgjë tjetër nuk duhet të jetë në tavolinë.”, - deklaroi kryesuesja e delegacionit suedez, Shestin Lundgren. 
 
Zendeli: Fillimisht të luftojmë korrupsionin
 
Edhe deputetët nikoqir të mysafirëve suedez pajtohen se korrupsioni dhe drejtësia duhet të merret seriozisht dhe reformat tjera të zënë vend më real në shoqëri.
 
“Vlerësimi i përgjithshëm i deputetëve është se tema për antikorrupsion duhet të analizohet në mënyrë më të detajuar. Gjithashtu, në secilën mbledhje pune u diskutua për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe për dinamikën e zhvillimit të këtij procesi. U bisedua edhe për ndryshimin e rregullores në përputhje me atë që ne e quajmë Zhan Mone, që jemi në fazën përfundimtare të saj, pra  kishim çfarë të mësojmë nga kolegët suedez edhe në këtë vështrim, ku kontributi i tyre është i madh.”, - theksoi Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
 
Deputetët suedez siguruan përkrahjen  e tyre ndaj RMV-së drejt BE-së, por rikujtojnë se kjo mbështetje qëndron vetëm prapa plotësimit të kushteve evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU